Secondary Adv

Hekurudha Durrës-Tiranë-Rinas në punë në fund të 2027, nis kërkimi për operatorin privat dhe trenat

Qeveria ka nisur procesin për përzgjedhjen e operatorit që do të menaxhojë shërbimin hekurudhor të pasagjerëve në linjën Durrës–Tiranë–Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, ndërsa nisja e udhëtimeve me tren parashikohet në fund të vitit 2027.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me Hekurudhën Shqiptare, ka publikuar thirrjen për shprehje interesi për kompanitë ose konsorciumet që dëshirojnë të marrin pjesë në proces. Afati për dorëzimin e aplikimeve është 26 korriku 2026, ndërsa tenderi përfundimtar pritet të hapet në tremujorin e katërt të këtij viti.

 

Sipas dokumenteve të publikuara, operatori fitues nuk do të ketë vetëm detyrën e ofrimit të shërbimit, por edhe sigurimin e mjeteve lëvizëse, pra trenave që do të përdoren në linjë. Trenat mund të jenë të rinj, të përdorur ose të marrë me qira, ndërsa preferohen njësi elektrike që përputhen me standardet moderne të transportit hekurudhor.

 

Dy linja kryesore dhe dhjetëra udhëtime në ditë

Faza e parë e projektit përfshin dy linja kryesore. Linja Tiranë–Durrës do të ketë një gjatësi prej 37.9 kilometrash, ndërsa linja Tiranë–Aeroport do të shtrihet në 15.4 kilometra.

 

Plani operacional parashikon 44 shërbime ditore në linjën Tiranë–Durrës dhe 74 shërbime në linjën Tiranë–Aeroport gjatë ditëve të punës. Kjo përkthehet në rreth 22 çifte udhëtimesh ditore drejt Durrësit dhe 37 çifte udhëtimesh drejt aeroportit.

 

Për realizimin e këtij shërbimi vlerësohet se do të nevojiten katër njësi elektrike treni në operim, ndërsa numri mund të arrijë në gjashtë nëse përfshihen edhe trenat rezervë. Në total, shërbimi parashikohet të realizojë rreth 1.1 milion kilometra trenash në vit.

 

Kontratë deri në 15 vjet

Dokumenti parashikon që kontrata me operatorin privat të ketë një kohëzgjatje nga 10 deri në 15 vjet. Modeli i zgjedhur është ai i kontratës bruto, ku operatori paguhet në bazë të kilometrave të kryer nga trenat, ndërsa të ardhurat nga shitja e biletave dhe risku tregtar mbeten përgjegjësi e institucioneve publike.

 

Parashikohen gjithashtu mekanizma bonusesh dhe penalitetesh që lidhen me cilësinë e shërbimit, respektimin e orareve dhe performancën operacionale.

 

Rrjeti mund të zgjerohet në të ardhmen

Autoritetet kanë lënë të hapur mundësinë që kontrata të zgjerohet edhe në linja të tjera të rëndësishme hekurudhore sapo të përfundojnë projektet e modernizimit të rrjetit kombëtar.

 

Sipas planifikimeve aktuale, linja Tiranë–Hani i Hotit mund të vihet në funksion rreth vitit 2030, ndërsa linja Durrës–Pogradec pritet të realizohet deri në vitin 2035.

 

Konsultime me operatorët ndërkombëtarë

Pas përfundimit të afatit për shprehjen e interesit, kompanitë e interesuara do të ftohen në një workshop konsultativ gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026. Informacioni dhe propozimet e mbledhura gjatë këtij procesi do të përdoren për hartimin e dokumenteve përfundimtare të tenderit ndërkombëtar.

 

Projekti i hekurudhës Durrës–Tiranë–Rinas konsiderohet si investimi më i rëndësishëm hekurudhor në Shqipëri në dekadat e fundit dhe synon të krijojë një lidhje moderne mes portit të Durrësit, kryeqytetit dhe aeroportit më të madh të vendit.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat