Tatimet sqarojnë procedurën e riaplikimit për kompensimin e fëmijëve kur mungojnë faturat
Individët që kanë aplikuar për kompensimin e tatimit përmes zbritjes së shpenzimeve arsimore të fëmijëve dhe nuk kanë ngarkuar faturat e fiskalizuara do të kenë kërkesën e refuzuar, por do të mund të riaplikojnë.
Administrata Tatimore ka nisur njoftimin e individëve që kanë paraqitur kërkesë për rimbursim, por nuk kanë dorëzuar dokumentacionin justifikues të shpenzimeve arsimore. Kjo kategori përfshin prindërit me fëmijë në ngarkim dhe me të ardhura bruto vjetore deri në 1.2 milionë lekë, të cilët përfitojnë jo vetëm zbritjen prej 48 mijë lekësh për çdo fëmijë, por edhe zbritjen e shpenzimeve arsimore deri në 100 mijë lekë.
Sipas Tatimeve, përfitimi i kësaj zbritjeje kërkon detyrimisht paraqitjen e faturave të fiskalizuara që provojnë pagesat për arsimin e fëmijëve. Në rastet kur këto dokumente nuk janë ngarkuar në sistem, kërkesa për rimbursim refuzohet.
Mundësi për riaplikim
Megjithëse aplikimi fillestar mund të refuzohet, individët që disponojnë faturat përkatëse nuk humbasin të drejtën për të përfituar kompensimin. Administrata Tatimore ka sqaruar se ata mund të paraqesin një aplikim të ri, duke ngarkuar dokumentacionin e munguar dhe duke ndjekur procedurat e përcaktuara nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve.
Sipas sqarimeve zyrtare, procesi është i ngjashëm me rastet e bizneseve kur një kërkesë për rimbursim refuzohet. Aplikanti duhet të paraqesë kërkesën nga e para dhe të ngarkojë faturat e fiskalizuara që vërtetojnë shpenzimet arsimore.
Ndërkohë, inspektorët tatimorë po kontaktojnë dhe po udhëzojnë individët e prekur për mënyrën e riaplikimit dhe ngarkimit korrekt të dokumenteve në sistem.
Kompensimi mund të arrijë deri në 250 euro
Sipas shembujve të publikuar nga ekspertët fiskalë, përfitimi mund të jetë i konsiderueshëm për familjet që plotësojnë kushtet. Në rastin e një individi me të ardhura vjetore bruto prej 1,189,374 lekësh dhe dy fëmijë në ngarkim, ku njëri ndjek arsimin privat, përfitimi total nga zbritjet fiskale arrin në 25,481 lekë.
Në këtë rast janë përfshirë zbritja standarde nga të ardhurat nga punësimi prej 360 mijë lekësh, zbritja prej 96 mijë lekësh për dy fëmijët në ngarkim dhe 100 mijë lekë shpenzime arsimore të dokumentuara me fatura të fiskalizuara.
Pas rillogaritjes së tatimit mbi bazën e këtyre zbritjeve, tatimi i paguar rezulton më i lartë se detyrimi real, duke krijuar të drejtën për rimbursim në favor të qytetarit.