Secondary Adv

Tatimet: Deri më 30 qershor dorëzoni deklaratat e padorëzuara për të shmangur gjobat

Administrata Tatimore u kërkon tatimpaguesve me deklarata të padorëzuara deri më 31 dhjetor 2024 t’i paraqesin ato deri më 30 qershor 2026 për të përfituar nga fshirja e gjobave.

Pas përfundimit të afatit për aplikimet në kuadër të Paqes Fiskale më 5 qershor, Administrata Tatimore ka përqendruar vëmendjen te zbatimi i ligjit për fshirjen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore të papaguara, i miratuar në fund të vitit të kaluar.

 

Në një njoftim zyrtar, Tatimet sqarojnë se në bazë të ligjit nr. 86, datë 12 dhjetor 2025, si dhe Udhëzimit nr. 11, datë 14 maj 2026, objekt i fshirjes janë edhe penalitetet administrative të lidhura me deklaratat e padorëzuara, me kusht që këto deklarata të dorëzohen brenda afatit të përcaktuar.

 

Mundësi për të eliminuar penalitetet

Kjo u jep mundësi tatimpaguesve që kanë lënë pa dorëzuar deklarata tatimore për periudha të mëparshme të formalizojnë situatën e tyre dhe të përfitojnë nga fshirja e gjobave të krijuara ndër vite.

 

Administrata Tatimore thekson se pas datës 30 qershor 2026, gjobat për mosdeklarim në afat nuk do të përfitojnë më nga skema e fshirjes apo shuarjes së detyrimeve, edhe në rast se deklaratat dorëzohen në një moment të mëvonshëm.

 

Për këtë arsye, bizneset dhe individët ftohen të kontrollojnë llogaritë e tyre në sistemin elektronik e-Filing dhe të identifikojnë çdo deklaratë të padorëzuar që mund të përfshihet në këtë proces.

 

Në pritje të bilancit të Paqes Fiskale

Njoftimi vjen në një periudhë kur Administrata Tatimore pritet të publikojë rezultatet e para të zbatimit të Paqes Fiskale. Afati për aplikimet e bizneseve të mëdha përfundoi më 5 qershor dhe tashmë vëmendja është përqendruar te numri i aplikimeve të depozituara dhe vlera e detyrimeve që do të përfshihen në këtë proces.

 

Ligji nr. 86/2025 konsiderohet një nga ndërhyrjet më të rëndësishme fiskale të viteve të fundit, pasi përveç Paqes Fiskale parashikon edhe fshirjen ose shuarjen e një sërë penalitetesh, gjobash dhe detyrimesh të vjetra, me synimin për të përmirësuar marrëdhëniet mes administratës tatimore dhe tatimpaguesve.

 

Me më pak se një muaj deri në mbylljen e afatit, Tatimet po inkurajojnë të gjithë subjektet që të përfitojnë nga kjo mundësi për të rregulluar detyrimet deklarative dhe për të shmangur kostot shtesë që do të mbeten në fuqi pas datës 30 qershor 2026.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat