Secondary Adv

Protesta qytetare kundër projektit të Zvërnecit, reagon BE: Mbro natyrën, sa je në kohë

Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka reaguar mes protestave kundër projektit në zonën e Zvërnecit, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së habitateve natyrore dhe biodiversitetit.

Ndërsa protestat qytetare kundër projektit në Zvërnec kanë hyrë në ditën e nëntë, me pjesëmarrje të gjerë të të rinjve, familjeve dhe aktivistëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Delegacioni i Bashkimit Europian publikoi një mesazh sensibilizues kushtuar mbrojtjes së natyrës dhe specieve të shpendëve.

 

Në reagimin e tij, BE thekson se shpendët luajnë një rol jetik në ruajtjen e ekuilibrave natyrorë, duke kontribuar në shpërndarjen e farave, kontrollin e insekteve dhe funksionimin e shëndetshëm të ekosistemeve.

 

Paralajmërim për humbjen e biodiversitetit

Sipas Delegacionit të Bashkimit Europian, më shumë se 49% e specieve të shpendëve në botë janë në rënie, një tregues që sinjalizon presionin në rritje mbi habitatet natyrore dhe biodiversitetin global.

 

“Një këngë shpendi është më shumë se tingull, është shenjë e një natyre që jeton dhe merr frymë. Mbi 49% e specieve të shpendëve në botë janë në pakësim, një sinjal i qartë se ekuilibri i ekosistemeve po vihet në provë”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Delegacioni i BE-së.

 

Reagimi nënvizon se humbja e habitateve natyrore dhe ndotja po shtyjnë shumë specie drejt zhdukjes, duke e bërë natyrën gjithnjë e më të varfër dhe më të heshtur.

 

“Mbro natyrën, sa je në kohë”

Mesazhi përmbyllet me një thirrje të drejtpërdrejtë për mbrojtjen e mjedisit dhe habitateve natyrore.

 

“Mbro habitatet natyrore, përpara se qielli të mbetet pa këngë shpendësh. Mbro natyrën, sa je në kohë”, theksohet në reagimin e Delegacionit të Bashkimit Europian.

 

Reagimi vjen në një moment kur debati publik për projektin në zonën e Zvërnecit është intensifikuar, ndërsa qytetarët dhe organizatat mjedisore vijojnë të kërkojnë mbrojtjen e një prej zonave më të rëndësishme natyrore dhe ekologjike të vendit.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat