Secondary Adv

Ushqim në shkollat 9 vjeçare publike, qeveria llogarit kostot: Nevojiten 203 mln euro në vit

Zbatimi i plotë i programit “Pas Shkolle” do t’i kushtonte buxhetit rreth 203 milionë euro në vit, ndërsa po shqyrtohen alternativa më pak të kushtueshme.

Vlerësimet janë bërë publike në projektvendimin për ndryshimin e kuotave financiare të ushqimit në mensa e konvikte, ku parashikohet mundësia që njësitë e vetëqeverisjes vendore të ofrojnë shërbimin e ushqimit në shkollat publike, nëse disponojnë burimet e nevojshme financiare.

 

Sipas llogaritjeve të Ministrisë së Arsimit, zbatimi i plotë i programit për të gjithë sistemin 9-vjeçar do të përfshinte 222 mijë nxënës, me një kosto prej 500 lekësh në ditë për secilin nxënës dhe për 175 ditë mësimore në vit. Në këto kushte, fatura vjetore arrin në rreth 19.4 miliardë lekë ose afërsisht 203 milionë euro.

 

Skenarë të ndryshëm për uljen e kostove

Për shkak të kostos së lartë, ministria ka përgatitur edhe variante alternative, ku ushqimi do të ofrohej vetëm për një pjesë të nxënësve. Skenari bazë parashikon mbulimin e 20 për qind të nxënësve, ndërsa janë analizuar edhe variante që përfshijnë 10, 30 dhe deri në 50 për qind të tyre.

 

Projektvendimi propozon që ofrimi i këtij shërbimi të mbetet në kompetencën e bashkive, të cilat mund ta financojnë me fondet e tyre ose përmes transfertave nga buxheti i shtetit, me miratimin e Ministrisë së Arsimit dhe duke respektuar standardet e sigurisë ushqimore.

 

Mbi 110 milionë euro për nxënësit e arsimit fillor

Për nxënësit e arsimit fillor publik, që përbëjnë rreth 121.5 mijë fëmijë, kostoja e ofrimit të ushqimit për të gjithë arrin në rreth 10.6 miliardë lekë ose afro 110 milionë euro në vit.

 

Nëse shërbimi do të ofrohej vetëm për 10 për qind të nxënësve, kostoja do të ishte rreth 1 miliard lekë. Për skenarin bazë me 20 për qind të përfituesve, nevojiten rreth 2.1 miliardë lekë, ndërsa për 50 për qind të nxënësve kostoja llogaritet në rreth 5.3 miliardë lekë në vit.

 

Rreth 92 milionë euro për arsimin 9-vjeçar

Për nxënësit e ciklit 9-vjeçar, nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, ministria ka llogaritur një kosto totale prej rreth 8.8 miliardë lekësh ose 92 milionë euro në vit.

 

Në këtë segment, ofrimi i ushqimit për 10 për qind të nxënësve do të kushtonte rreth 880 milionë lekë, ndërsa skenari bazë me 20 për qind të përfituesve do të kërkonte rreth 1.7 miliardë lekë. Përfshirja e gjysmës së nxënësve do ta çonte faturën financiare në rreth 4.4 miliardë lekë në vit.

 

Çfarë synon programi “Pas Shkolle”

Programi “Pas Shkolle” synon të zgjasë kohën e qëndrimit të nxënësve në shkollë përmes aktiviteteve arsimore, kulturore dhe sportive pas përfundimit të mësimit. Sipas ministrisë, ushqimi konsiderohet një element thelbësor për të garantuar mirëqenien fizike, përqendrimin dhe pjesëmarrjen aktive të nxënësve në këto aktivitete.

 

Dokumenti argumenton se një ushqyerje e rregullt dhe e balancuar ndikon pozitivisht në rezultatet mësimore, ndihmon në uljen e pabarazive sociale dhe rrit përfshirjen e nxënësve nga familjet me më pak mundësi ekonomike. Gjithashtu, ofrimi i ushqimit shihet si një faktor që mund të rrisë besimin e prindërve dhe pjesëmarrjen e fëmijëve në programet pas mësimit.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat