Kredia për investime u rrit me 34 për qind në katër muajt e parë të këtij viti
Financimi bankar për investimet e bizneseve ka shënuar një rritje të fortë në muajt e parë të vitit 2026, i mbështetur nga zgjerimi i sektorit të pasurive të paluajtshme, turizmit dhe kushtet e favorshme të kreditimit.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kredia e re për investime gjatë periudhës janar-prill arriti në 32.7 miliardë lekë, duke regjistruar një rritje prej 34 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja është shtrirë në të dy segmentet kryesore të financimit të investimeve. Kredia për blerjen e makinerive dhe pajisjeve arriti në 10.5 miliardë lekë, me një zgjerim vjetor prej 48 për qind. Ndërkohë, kredia për investime në pasuri të paluajtshme u ngjit në 22.2 miliardë lekë, ose 29 për qind më shumë se një vit më parë.
Portofoli i investimeve vijon zgjerimin
Edhe teprica e portofolit të kredisë për investime ka ruajtur ritme të qëndrueshme rritjeje. Në fund të muajit prill, portofoli total arriti në 324.8 miliardë lekë, duke shënuar një rritje vjetore prej rreth 14 për qind.
Për shkak se kreditë për investime kanë zakonisht afate më të gjata shlyerjeje, zgjerimi i portofolit konsiderohet më i qëndrueshëm dhe reflekton vazhdimësinë e projekteve investuese të bizneseve. Ritmi i rritjes është përshpejtuar krahasuar me fundin e vitit 2025, kur zgjerimi vjetor ishte rreth 13 për qind.
Aktualisht, kredia për investime përbën rreth 61 për qind të portofolit total të kredisë për bizneset, ndërsa investimet në pasuri të paluajtshme zënë afërsisht 42 për qind të tij.
Turizmi dhe ndërtimi nxisin kërkesën për financim
Sipas të dhënave, performanca pozitive e ekonomisë shqiptare në vitet e fundit ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e investimeve private. Zgjerimi i turizmit ka shtuar nevojën për kapacitete të reja akomoduese dhe investime në hotele, ndërsa zhvillimi i tregut të pasurive të paluajtshme ka nxitur projekte të reja ndërtimi me përdorim tregtar dhe industrial.
Normat relativisht të ulëta të interesit dhe oferta e gjerë e financimit nga sektori bankar kanë krijuar kushte të favorshme për realizimin e investimeve të reja nga bizneset.
Kredia për bizneset mbetet motori i zgjerimit të kreditimit
Gjallërimi i kreditimit për bizneset, veçanërisht për investime, po jep kontributin kryesor në rritjen e përgjithshme të kredisë për ekonominë gjatë pjesës së parë të vitit. Ndërkohë, kreditimi i individëve, sidomos për blerjen e banesave, po paraqitet me ritme më të moderuara.
Të dhënat paraprake të INSTAT tregojnë se formimi bruto i kapitalit fiks u rrit mesatarisht me 4.7 për qind gjatë vitit 2025, me ritme më të larta se rritja ekonomike e vendit. Financimi bankar po vijon të luajë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e këtij zgjerimi të investimeve.