Secondary Adv

Në një vit, 33 mijë të rinj më pak, shtohen me 8.3 për qind të moshuarit mbi 85 vjeç

Struktura demografike e Shqipërisë po ndryshon me shpejtësi, teksa numri i të rinjve vijon të bjerë ndjeshëm nga emigracioni dhe lindshmëria e ulët, ndërsa popullsia e moshuar po zgjerohet vit pas viti.

Të dhënat zyrtare të popullsisë më 1 janar 2026 tregojnë se vendi humbi më shumë se 27 mijë banorë gjatë vitit 2025, ose rreth 1.2 për qind të popullsisë. Megjithatë, ndryshimi më i fortë nuk lidhet vetëm me numrin e përgjithshëm të banorëve, por me transformimin e strukturës sipas moshës, ku grupet e reja po tkurren me ritme të shpejta, ndërsa numri i të moshuarve po rritet ndjeshëm.

 

Tkurrje e fortë e moshave të reja

Grupmosha 0-4 vjeç shënoi një rënie prej 2.3 për qind gjatë vitit 2025, ose rreth 2,477 fëmijë më pak krahasuar me një vit më parë. Tendenca bëhet edhe më e dukshme te grupmoshat e reja dhe ato që përbëjnë bazën e tregut të punës.

 

Rënia më e madhe është regjistruar te grupmosha 30-34 vjeç, e cila u tkurr me 4.7 për qind ose me 6,853 persona. Ndërkohë, grupmosha 25-29 vjeç u zvogëlua me 4.4 për qind, duke humbur 5,955 persona brenda një viti.

 

Në total, popullsia nga 0 deri në 34 vjeç është pakësuar me rreth 33 mijë persona gjatë vitit 2025, një shifër e krahasueshme me popullsinë e një bashkie të tërë si Kurbini. Kjo rënie pasqyron kombinimin e emigracionit të vazhdueshëm të të rinjve dhe uljes së lindshmërisë.

 

Plakja e popullsisë po përshpejtohet

Në të kundërt me grupmoshat e reja, shtresat më të moshuara të popullsisë po rriten me ritme të larta. Numri i personave të moshës 70-74 vjeç u rrit me 6 për qind gjatë vitit 2025, ndërsa grupmosha 75-79 vjeç shënoi një rritje prej 8.3 për qind.

 

Rritje me të njëjtin ritëm, 8.3 për qind, është regjistruar edhe te personat mbi 85 vjeç. Numri i tyre u rrit nga 39,996 në vitin 2024 në 43,323 në vitin 2025, ose 3,327 të moshuar më shumë brenda vetëm një viti.

 

Sipas ekspertëve, kjo tendencë lidhet jo vetëm me plakjen natyrore të brezave të lindur gjatë periudhave me natalitet të lartë, por edhe me rritjen e jetëgjatësisë së popullsisë.

 

Sfida për tregun e punës dhe ekonominë

Tkurrja e grupmoshave aktive për punë po krijon sfida të reja për ekonominë shqiptare. Me më pak të rinj që hyjnë në tregun e punës dhe me emigracionin që vijon të largojë një pjesë të konsiderueshme të forcës punëtore, bizneset po përballen gjithnjë e më shumë me mungesë personeli dhe vështirësi për të gjetur profesionistë të rinj.

 

Në të njëjtën kohë, rritja e numrit të të moshuarve do të shtojë presionin mbi sistemin e pensioneve, kujdesin shëndetësor dhe shërbimet sociale. Kjo pritet të kërkojë më shumë fonde publike dhe politika të reja për përballimin e plakjes së popullsisë.

 

Një transformim i thellë demografik

Të dhënat tregojnë se Shqipëria po përballet me një transformim të thellë demografik. Nga njëra anë, emigracioni dhe rënia e lindjeve po zvogëlojnë bazën e popullsisë së re, ndërsa nga ana tjetër po rritet pesha e grupmoshave më të vjetra.

 

Kjo prirje po ndryshon gradualisht strukturën sociale dhe ekonomike të vendit, duke e bërë sfidën demografike një nga çështjet më të rëndësishme për zhvillimin afatgjatë të Shqipërisë.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat