Secondary Adv

Lidhet kontrata 641 mijë euro për mbështetjen e reformës hekurudhore

Qeveria ka kontraktuar 641 mijë euro për mbështetjen e reformës hekurudhore dhe përafrimin me standardet e BE-së.

Sipas njoftimit të publikuar në platformën europiane të prokurimeve TED dhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, kontrata i është dhënë konsorciumit të udhëhequr nga EPTISA Southeast Europe me bazë në Serbi, në partneritet me EPTISA Servicios de Ingeniería SL nga Spanja.

 

Projekti financohet nga programi IPA III i Bashkimit Europian dhe synon të mbështesë harmonizimin e politikave dhe kuadrit ligjor shqiptar në sektorin hekurudhor me acquis communautaire të BE-së.

 

Mbështetje për kuadrin ligjor dhe institucionet

Kontrata parashikon asistencë teknike për hartimin dhe përshtatjen e legjislacionit hekurudhor sipas standardeve europiane, si dhe forcimin e kapaciteteve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe institucioneve të tjera përgjegjëse për sektorin.

 

Afati i zbatimit të projektit është 15 muaj. Fituesi i kontratës u përzgjodh më 27 shkurt 2026, ndërsa marrëveshja u nënshkrua më 19 mars 2026. Në garë morën pjesë gjithsej gjashtë operatorë ekonomikë.

 

Paralelisht vijojnë projektet infrastrukturore

Ndërsa po punohet për përmirësimin e kuadrit ligjor, Shqipëria po zhvillon një sërë projektesh strategjike në infrastrukturën hekurudhore.

 

Një nga projektet më të rëndësishme është rehabilitimi i linjës Tiranë–Durrës dhe lidhja me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, punimet për të cilën kanë nisur që prej vitit 2021. Ky projekt konsiderohet kyç për transportin e pasagjerëve dhe lidhjen e kryeqytetit me aeroportin.

 

Prioritet edhe korridori drejt Malit të Zi

Një tjetër investim strategjik është rehabilitimi dhe elektrifikimi i linjës hekurudhore Vorë–Hani i Hotit, që lidh Shqipërinë me kufirin malazez. Projekti përfshin rreth 120 kilometra linjë hekurudhore dhe mbështetet nga një kredi sovrane deri në 98.75 milionë euro.

 

Kjo linjë është pjesë e zgjerimit të korridorit mesdhetar të rrjetit europian TEN-T dhe konsiderohet me rëndësi të veçantë për integrimin e Shqipërisë në rrjetin hekurudhor të Bashkimit Europian.

 

Në proces edhe linja Durrës–Rrogozhinë

Në të njëjtën kohë po ecin procedurat për rehabilitimin e linjës Durrës–Rrogozhinë, një projekt që pritet të financohet përmes një kombinimi burimesh nga buxheti i shtetit, kreditë e Bankës Europiane të Investimeve dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe grantet e Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

 

Zbatimi i këtyre projekteve, së bashku me reformën ligjore dhe institucionale, synon krijimin e një sistemi hekurudhor modern, të integruar me standardet europiane dhe të aftë për të mbështetur transportin e pasagjerëve dhe mallrave në vitet e ardhshme.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat