Shqipëria ndër përfituesit kryesorë të fondeve të BE, tërheq 23.1 për qind të Planit të Rritjes
Shqipëria renditet e dyta në rajon për fondet e BE-së për frymë dhe për nivelin e financimit të tërhequr nga RGGF.
Shqipëria renditet e dyta në Ballkanin Perëndimor për mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian për frymë në ciklin 2021-2027, me një mesatare prej 100.6 eurosh në vit për banor, sipas Raportit të Konvergjencës Ekonomike për Ballkanin Perëndimor të OECD-së 2026. Vetëm Mali i Zi përfiton më shumë, me 152.6 euro për frymë, ndërsa pas Shqipërisë renditet Kosova me 97.5 euro.
Niveli i mbështetjes për Shqipërinë është gjithashtu mbi mesataren e Ballkanit Perëndimor, e cila për periudhën aktuale arrin në 90.7 euro për frymë në vit. OECD e llogarit mbështetjen mbi bazën e angazhimeve financiare nga IPA III dhe Instrumenti për Reforma dhe Rritje (RGGF), me vlerat të shprehura në çmimet e vitit 2026. Angazhimet përfshijnë grante, prokurime dhe mbështetje buxhetore, ndërsa në rastin e RGGF përfshihen edhe disbursimet e huave.
Financimi i BE-së për rajonin është rritur ndjeshëm
Financimi evropian për Ballkanin Perëndimor është rritur ndjeshëm krahasuar me ciklet e mëparshme. Nga 3.8 miliardë euro në IPA I për periudhën 2007-2013, fondet u rritën në 4.2 miliardë euro në IPA II për periudhën 2014-2020, ndërsa paketa e kombinuar e IPA III dhe RGGF për vitet 2021-2027 arrin në 8.2 miliardë euro.
Në terma për frymë, mesatarja rajonale është rritur nga 49.7 euro në vit gjatë IPA I, në 53.3 euro gjatë IPA II dhe në 90.7 euro në ciklin aktual. Niveli i tanishëm i mbështetjes për rajonin është më shumë se dyfishi i financimit për frymë që mori Kroacia në ciklin përpara anëtarësimit të saj në BE në vitin 2013, kur shifra ishte 38.9 euro për frymë në vit.
Shqipëria ka marrë 23.1% të financimit të disponueshëm
Raporti evidenton, megjithatë, se vënia në përdorim e fondeve të reja ka qenë deri tani e ngadaltë. Deri në gjysmën e parë të vitit 2026, nga Instrumenti për Reforma dhe Rritje ishin disbursuar vetëm 673.6 milionë euro, ose 11.2% e fondit të përgjithshëm të disponueshëm për periudhën 2024-2027. Disbursimet lidhen drejtpërdrejt me përmbushjen e objektivave dhe reformave të parashikuara në Agjendat e Reformave të vendeve përkatëse.
Edhe në këtë tregues Shqipëria është ndër vendet më të avancuara të rajonit. Deri në gjysmën e parë të vitit 2026, vendi kishte marrë 23.1% të financimit të disponueshëm nga RGGF, vetëm 0.2 pikë përqindjeje më pak se Mali i Zi, që kryeson me 23.3%. Maqedonia e Veriut kishte marrë 18.9%, Serbia 10.6% dhe Kosova 7%, ndërsa Bosnjë-Hercegovina nuk kishte marrë ende financim nga ky mekanizëm, pasi Agjenda e saj e Reformave nuk ishte ratifikuar në momentin e hartimit të raportit.
Paketa e Planit të Rritjes arrin në 6 miliardë euro
Instrumenti për Reforma dhe Rritje është pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të miratuar nga Komisioni Evropian në nëntor 2023 dhe të mbështetur nga një paketë prej 6 miliardë eurosh në grante dhe hua. Qëllimi është që vendet e rajonit të përfitojnë disa nga avantazhet e tregut të përbashkët evropian përpara anëtarësimit, ndërsa financimi kushtëzohet me zbatimin e reformave ekonomike dhe institucionale.