Secondary Adv

Turizmi drejt fazës së re, Rama-Ibrahimaj: Më shumë marka ndërkombëtare dhe cilësi

Shqipëria synon më shumë marka ndërkombëtare, turizëm me të ardhura të larta dhe zgjatjen e sezonit.

Shqipëria po synon të kalojë në një fazë të re të zhvillimit të turizmit, ku fokusi zhvendoset nga rritja e numrit të vizitorëve drejt cilësisë së shërbimeve, markave ndërkombëtare dhe investimeve me vlerë të lartë. Gjatë forumit “Future Hospitality 2026”, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantuan këtë qasje si sfidën e radhës për sektorin.


Rama tha se Shqipëria duhet të krijojë më shumë hapësirë për markat ndërkombëtare dhe turizmin me të ardhura të larta. “Shpresojmë të ngjallim më shumë interes dhe të fitojmë më shumë terren për të pasur më shumë marka dhe më shumë turizëm me të ardhura të larta”, deklaroi kryeministri.


“Po përballemi me sfidën e frikës për të menduar më në përmasa të mëdha dhe për të ëndërruar më në përmasa të mëdha, për të qëndruar pa dyshime dhe pa u dridhur kur investime të mëdha janë gati të vijnë, kur miliarda e miliarda janë gati të investohen në Shqipëri për ta shndërruar këtë vend në diçka edhe më ndryshe nga ç’është sot, por këto janë sfidat e përparimit. Këto janë sfidat e ndryshimit dhe ne jemi këtu për t’u përballur me to”, u shpreh Rama.


Ibrahimaj: Fokusi te vlera e krijuar nga çdo vizitë

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se Shqipëria po hyn në një fazë të re të zhvillimit të turizmit, ku objektivi nuk është më vetëm rritja e numrit të vizitorëve, por krijimi i më shumë vlere nga çdo vizitë, zgjatja e sezonit dhe përmirësimi i cilësisë së ofertës turistike.


Sipas saj, faza e ardhshme e sektorit nuk mund të mbështetet vetëm te ndërtimi i më shumë dhomave, por duhet të orientohet drejt një mikpritjeje më cilësore përmes

markave ndërkombëtare, menaxhimit, shërbimit, teknologjisë dhe eksperiencave që nxisin vizitorët të qëndrojnë më gjatë.


Në këtë drejtim, Ibrahimaj theksoi se netëqëndrimet jashtë pikut të sezonit veror u rritën me pothuajse 80% gjatë periudhës 2023-2025. “Mundësia jonë nuk është më thjesht të tërheqim më shumë investitorë apo më shumë vizitorë. Është të krijojmë më shumë vlerë nga çdo vizitë”, u shpreh ajo.


Të ardhurat nga turistët ndërkombëtarë arrijnë në 5.7 miliardë euro

Ministrja deklaroi se të ardhurat nga turistët ndërkombëtarë janë rritur nga 2.8 miliardë euro në 5.7 miliardë euro, ndërsa në vitin 2025 Shqipëria mirëpriti 12.5 milionë turistë. Sipas Ibrahimajt, mes viteve 2023 dhe 2025, hyrjet e shtetasve të huaj u rritën me 23%, ndërsa të ardhurat nga turizmi me më shumë se 40%.


Duke iu referuar perspektivës së sektorit, Ibrahimaj tha se deri në vitin 2030 të ardhurat nga udhëtimet ndërkombëtare mund të arrijnë rreth 8.5 miliardë euro. Synimi, sipas saj, është që Shqipëria të zhvillohet si një destinacion ku vizitorët qëndrojnë më gjatë, përjetojnë më shumë dhe rikthehen.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat