Të moshuarit mbajnë tregun e punës, 145 mijë të punësuar mbi 64 vjeç
Rritja e pensioneve me 2.7% duket e pamjaftueshme për shumë të moshuar, të cilët thonë se të ardhurat nuk u mjaftojnë për shpenzimet bazë.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se rreth 145 mijë persona mbi 64 vjeç vijojnë të punojnë edhe pas daljes në pension. Të moshuarit shprehen se pa ndihmën e fëmijëve do ta kishin të vështirë të përballonin muajin.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se në tremujorin e dytë të vitit 2026, numri i të punësuarve mbi 64 vjeç arriti në rreth 145 mijë persona. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur ishin 131.2 mijë të punësuar, numri është rritur me rreth 13.7 mijë persona, ose 10.5%. Rritja ishte edhe më e fortë në tremujorin e parë të vitit. Në janar-mars 2026 në tregun e punës kishte 140.7 mijë të punësuar mbi 64 vjeç, me rritje prej 14.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e fundit e pensioneve hyri në fuqi më 1 korrik të këtij viti. Pensionet u indeksuan me 2.7% ku vihet re një rritje me 0.2% nga viti i kaluar që ishte 2.5%.
Vendimi preku rreth 900 mijë përfitues në të gjithë vendin. Për një pension urban, rritja mesatare është rreth 543 lekë në muaj, ndërsa për pensionet rurale rreth 320 lekë
Por më konkretisht nëse ndalemi sipas kategorive, pensionet urbane të pleqërisë të cilët sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore kapnin vlerën e 20 mijë e 123 lekëve në fund të 2025, një indeksim prej 2.7% përkthehet në 543 lekë më shumë në pagesën e tyre mujore duke arritur kështu në 20 mijë e 666 lekë.