Secondary Adv

Cannabis-i, miratohen rregullat e reja: Kontrolle me kamera, dronë dhe satelitë

Këshilli i Ministrave ka miratuar rregullat e hollësishme për mbikëqyrjen e të gjithë aktivitetit të licencuar dhe të lejuar me bimën e cannabis-it dhe prodhimin e nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale.

Kuadri i ri përcakton mënyrën se si do të kontrollohen subjektet nga importi i farës dhe kultivimi, deri te korrja, përpunimi, magazinimi, transporti, eksporti dhe, kur është rasti, sekuestrimi, konfiskimi apo asgjësimi.


Rregullat vendosin në qendër të sistemit të kontrollit Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it, e cila do të ushtrojë mbikëqyrje të vazhdueshme dhe të bazuar në risk. Synimi është që të garantohet jo vetëm respektimi i kushteve të licencës, por edhe siguria publike, shëndeti publik dhe gjurmueshmëria e plotë e materialit përgjatë të gjithë ciklit.


Kontrollet nuk do të kufizohen vetëm te inspektimet fizike. Vendimi parashikon monitorim në terren, kontrolle të përbashkëta ndërinstitucionale, kontrolle në distancë dhe forma të kombinuara. Agjencia mund të përdorë sistemet elektronike, kamerat e monitorimit, sensorët, mjetet ajrore pa pilot, imazhet satelitore dhe platforma të tjera digjitale.


Në mënyrë të veçantë, sistemi i mbikëqyrjes në distancë parashikon që Agjencia të ketë akses të pandërprerë 24/7 në sistemet CCTV të subjekteve. Kontrolli mund të kryhet gjithashtu përmes telemetrisë, pajisjeve të matjes mjedisore, sistemeve të alarmit, dronëve, platformave satelitore dhe sensorëve. Pamjet dhe të dhënat e përftuara mund të përdoren si provë në procedura administrative, civile ose penale.


Subjektet do të kenë një sërë detyrimesh të drejtpërdrejta. Ato duhet t’u sigurojnë kontrollorëve akses të plotë dhe të menjëhershëm në ambientet, pajisjet, materialet, mjetet e transportit, dokumentacionin dhe sistemet elektronike. Gjithashtu duhet t’i vënë Agjencisë dhe, sipas rastit, Policisë së Shtetit një kontakt të administratorit, drejtuesit teknik ose personit përgjegjës, të disponueshëm 24 orë në 24 dhe 7 ditë në javë. Çdo incident kritik, cenim i sigurisë fizike apo i sistemit të gjurmueshmërisë duhet të njoftohet menjëherë.


Kontrollet do të zhvillohen sipas një programi vjetor të bazuar në profilin e riskut të secilit subjekt, historikun e tij, raportimet periodike, incidentet dhe të dhënat e sistemit të gjurmueshmërisë. Por Agjencia mund të kryejë edhe kontrolle të paplanifikuara kur ka indicie për shkelje, mospërputhje të të dhënave, mosraportim, incidente kritike apo dështim të sistemeve të sigurisë.


Përpara fillimit të aktivitetit operacional, Agjencia duhet të verifikojë kushtet kryesore të licencës, përfshirë infrastrukturën, skemën e sigurisë fizike, kontratat me shoqëritë private të sigurisë, sistemin e gjurmimit, personelin dhe procedurat standarde të operimit. Subjekti duhet të njoftojë çdo ndryshim material brenda 10 ditëve pune. Kushtet e licencës do të rivlerësohen periodikisht, jo më rrallë se një herë në tre vjet.


Rregulla të posaçme vendosen që në importimin e materialit mbjellës. Për farërat, fidanët, klonet dhe bimët mëmë, subjekti duhet të njoftojë autoritetin përgjegjës të bujqësisë të paktën 15 ditë pune përpara mbërritjes së ngarkesës, ndërsa autoriteti doganor duhet të njoftohet jo më vonë se 24 orë përpara. Në doganë verifikohen sasia, vlera, kodi tarifor, dokumentacioni, origjina dhe gjendja shëndetësore e materialit.


Edhe kultivimi do të ndiqet në çdo fazë. Agjencia do të verifikojë që cannabis-i kultivohet vetëm në sipërfaqet e miratuara, do të kontrollojë mbjelljen, fazën vegjetative dhe lulëzimin, identifikimin e bimëve dhe parcelave, si dhe përputhjen e gjendjes faktike me të dhënat e regjistruara. Parashikohet monitorim në kohë reale përmes sistemit dhe kamerave CCTV, krahas inspektimeve periodike dhe të papritura.


Një tjetër detyrim i rëndësishëm lidhet me korrjen. Subjekti duhet të njoftojë Agjencinë për datën e planifikuar jo më vonë se 15 ditë përpara fillimit të saj. Pas korrjes, sasia e materialit dhe loti përkatës duhet të regjistrohen menjëherë në sistem. Loti nuk mund të kalojë në tharje, përpunim, prodhim, shitje apo eksport pa u regjistruar dhe, kur kërkohet, pa iu nënshtruar analizave përkatëse.


Rregullat përcaktojnë edhe kufirin që do të përdoret për cannabis-in industrial. Një lot konsiderohet jokonform kur niveli total i THC-së, duke marrë parasysh edhe kufirin e sipërm të pasigurisë së matjes, tejkalon nivelin maksimal prej 0.8%. Në këtë rast loti nuk mund të hidhet në qarkullim, të shitet apo të eksportohet deri në përfundimin e procedurave përkatëse.


Subjekti ka të drejtë të kërkojë ritestimin e mostrës brenda dy ditëve pune nga njoftimi i rezultatit. Agjencia duhet të vendosë për pranimin ose refuzimin e kërkesës brenda pesë ditëve pune. Nëse rezultatet mbeten jokonforme, parashikohen mundësitë për korrigjimin e parametrave ose ndryshimin e destinacionit, kur kjo lejohet; në të kundërt procedohet me asgjësimin.


Kontroll i posaçëm vendoset edhe mbi transportin. Cannabis-i dhe produktet e tij duhet të transportohen vetëm me mjete të përshtatshme, të mbyllura dhe të sigurta, në mënyrë që materiali të mos jetë i dukshëm ose i identifikueshëm nga jashtë. Përpara lëvizjes duhet të deklarohen loti, sasia, itinerari, data dhe ora e nisjes, automjeti, personeli shoqërues dhe destinacioni. Agjencia mund të monitorojë itinerarin dhe çdo devijim, ndalesë të pajustifikuar apo cenim të masave të sigurisë. Policia e Shtetit do të bashkëpunojë për garantimin e sigurisë së transportit.


Edhe eksporti do të kontrollohet nga Agjencia, e cila verifikon ngarkesën, autorizimet, paketimin, etiketimin, gjurmueshmërinë dhe lëvizjen deri në pikën doganore. Autoritetet doganore kontrollojnë përputhjen e ngarkesës me deklaratën doganore dhe autorizimin e eksportit, ndërsa në rast dyshimesh njoftohen Agjencia dhe, sipas rastit, Policia e Shtetit.


Vendimi përcakton gjithashtu procedurat për sekuestrimin, konfiskimin dhe asgjësimin. Materiali që asgjësohet duhet të bëhet i papërdorshëm dhe i pakthyeshëm për çdo përdorim të mëtejshëm. Para asgjësimit kontrollohen identiteti, sasia, statusi dhe zinxhiri i gjurmueshmërisë, ndërsa e gjithë procedura dokumentohet dhe regjistrohet në sistem.


Një element kyç i kuadrit të ri është regjistrimi elektronik i çdo ndryshimi. Lëvizjet e materialit, ndryshimet e statusit, karantina, sekuestrimi, konfiskimi, asgjësimi dhe rezultatet e analizave duhet të pasqyrohen në Regjistrin Kombëtar dhe në sistemin e gjurmueshmërisë. Subjektet dhe institucionet që hedhin të dhëna mbajnë përgjegjësi për saktësinë, plotësinë dhe përditësimin e tyre.


Në rast se gjatë kontrollit Agjencia lë detyra korrigjuese, afati për përmbushjen e tyre nuk mund të jetë më i gjatë se 30 ditë. Më pas kryhet rikontroll dhe, nëse detyrimet nuk janë zbatuar, Agjencia vijon me masat administrative të parashikuara nga ligji.


Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat