BSH mban normën bazë në 2.5 për qind, paralajmëron rreziqe nga inflacioni dhe tregjet e huaja
Banka e Shqipërisë lë të pandryshuar normën bazë të interesit, ndërsa inflacioni pritet të rikthehet në objektiv gjatë vitit 2028.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5%, në kushtet e rritjes së pasigurive ekonomike dhe forcimit të presioneve inflacioniste nga tregjet ndërkombëtare. Vendimi u mor pas analizës së zhvillimeve më të fundit ekonomike dhe financiare, parashikimeve për periudhën në vijim dhe rreziqeve që mund të ndikojnë në stabilitetin e çmimeve.
Krahas normës bazë, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar edhe normën e interesit të depozitës njëditore në 1.5% dhe normën e interesit të kredisë njëditore në 3.5%.
Sipas Bankës së Shqipërisë, ekonomia shqiptare ka shfaqur një ecuri pozitive gjatë tre tremujorëve të parë të vitit 2026, e mbështetur nga rritja e aktivitetit ekonomik, punësimit dhe pagave në sektorin privat jobujqësor. Inflacioni ka qëndruar në nivele të përafërta me objektivin e bankës qendrore, ndërsa politika monetare e kujdesshme ka ndihmuar në ankorimin e pritjeve inflacioniste, reduktimin e primeve të rrezikut dhe ruajtjen e kushteve të favorshme të financimit.
Inflacioni arrin në 3.2 për qind, rritja e çmimeve të energjisë shton presionet
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se mjedisi ndërkombëtar është karakterizuar gjatë muajve të fundit nga një rritje e shpejtë dhe e përhapur e presioneve inflacioniste. Në veçanti, shtrenjtimi i naftës dhe burimeve të tjera të energjisë ka ndikuar në rritjen e çmimeve dhe të faturës së importeve për partnerët tregtarë të Shqipërisë.
“Këto zhvillime janë pasqyruar në rritjen e çmimeve në Shqipëri. Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi vlerën 3.2% gjatë tremujorit të tretë, nga 3% në tremujorin e dytë, kryesisht si pasojë e rritjes së çmimeve të karburanteve dhe të disa produkteve ushqimore të papërpunuara. Nga ana tjetër, ngadalësimi i inflacionit të qirave ka vepruar në kahun e kundërt gjatë tremujorit, duke diktuar rënien e inflacionit nga niveli 3.4% në muajin korrik në nivelin 2.9% në muajin shtator.
Në këndvështrimin makroekonomik, ecuria e inflacionit pasqyron forcimin e presioneve të huaja dhe zbutjen e atyre të brendshme. Inflacioni i importuar ka ardhur në rritje, ndonëse mbiçmimi i Lekut ka amortizuar pjesërisht ndikimin e çmimeve të huaja. Ndërkohë, presionet nga ekonomia e brendshme kanë ardhur në reduktim, si pasojë e rënies së inflacionit të qirave, duke kontribuar edhe në rënien e inflacionit bazë.
Në tërësi, kërkesa relativisht e lartë për mallra e shërbime, si dhe rritja e shpejtë e pagave në sektorin privat jobujqësor, vijojnë të mbeten faktorë rreziku për ecurinë e çmimeve në të ardhmen. Ndikimi i tyre në inflacion vijon të mbetet i kontrolluar, si pasojë e rritjes së produktivitetit, e rënies së marzheve të fitimit për njësi, si dhe e pritjeve të ankoruara për inflacionin. Megjithatë, ecuria e tyre do të vijojë të jetë subjekt i vëmendjes së shtuar nga Banka e Shqipërisë.
Të dhënat e disponuara sugjerojnë një rritje të qëndrueshme ekonomike gjatë tre tremujorëve të parë të vitit. Sipas INSTAT-it, ekonomia u rrit me 3.6% në gjashtëmujorin e parë, duke ruajtur ritme të ngjashme me ato të vitit të kaluar, ndërkohë që treguesit e disponuar për tremujorin e tretë sugjerojnë ruajtjen e ritmeve të qëndrueshme të rritjes ekonomike. Kjo e fundit vijoi të mbështetet nga zgjerimi i konsumit, investimeve dhe eksporteve totale, të nxitura nga kërkesa e lartë për shërbime turistike dhe nga rritja e prodhimit dhe eksporteve të energjisë elektrike. Në këndvështrimin sektorial, kontributet kryesore vijojnë të vijnë nga shërbimet dhe ndërtimi.
Tregu i punës ka vijuar të karakterizohet nga rritja e punësimit dhe e pagave, në përgjigje të rritjes së kërkesës së bizneseve për fuqi punëtore dhe problemeve të ofertës. Punësimi në sektorin privat jobujqësor u rrit me 2.3% në tremujorin e dytë, duke vijuar të shfaqë zhvendosje graduale të fuqisë punëtore nga bujqësia drejt sektorëve të tjerë. Ndërkohë, shkalla e papunësisë zbriti në 8.3% në fund të gjashtëmujorit të parë. Kërkesa për punë dhe vështirësitë e bizneseve për sigurimin e fuqisë punëtore kanë vijuar të ushtrojnë presione mbi pagat, të cilat u rritën me 11.6% në terma nominalë dhe 6.8% në terma realë gjatë këtij tremujori.
Krahas tregut të fortë të punës, zgjerimi i kërkesës së brendshme është mbështetur edhe nga kushtet e favorshme të financimit. Normat e interesit në tregun financiar qëndrojnë në nivele akomoduese, duke pasqyruar qëndrimin e politikës monetare dhe primet e kontrolluara të rrezikut. Nga ana tjetër, tregu valutor ka funksionuar normalisht, falë edhe pranisë së shtuar të Bankës së Shqipërisë, ndërsa trendi mbiçmues i kursit të këmbimit të Lekut vijon të mbetet i pranishëm. Ky mjedis financiar, së bashku me qasjen pozitive të bankave ndaj kreditimit, ka mbështetur rritjen e kredisë.
Rritja vjetore e saj arriti në 15.5% në tremujorin e tretë, e nxitur nga rritja e kredisë në Lekë dhe e orientuar drejt financimit të investimeve të bizneseve dhe blerjes së banesave nga individët. Njëkohësisht, raporti i kredive me probleme ka mbetur në nivele historikisht të ulëta, duke dëshmuar cilësinë e mirë dhe të qëndrueshme të portofolit të kredisë.
Parashikimet tona sugjerojnë se perspektiva ekonomike mbetet pozitive. Në skenarin bazë, aktiviteti ekonomik pritet të vijojë të zgjerohet, i shoqëruar me rritje të punësimit dhe të pagave. Ritmet e rritjes ekonomike pritet të qëndrojnë pranë potencialit në horizontin afatmesëm, duke mundësuar një balancim më të qëndrueshëm të kërkesës dhe ofertës dhe duke gjeneruar presione të brendshme inflacioniste në linjë me objektivin tonë.
Sipas skenarit bazë, inflacioni pritet të rritet disi mbi objektiv në afatin e shkurtër, kryesisht si pasojë e intensifikimit të presioneve inflacioniste nga jashtë. Më tej, normalizimi gradual i këtyre presioneve, së bashku me ecurinë e qëndrueshme të faktorëve të brendshëm, pritet të mundësojë kthimin e inflacionit në objektiv gjatë vitit 2028.
Megjithatë, pasiguritë rreth kësaj perspektive janë shtuar dhe balanca e rreziqeve qëndron në kahun e sipërm për inflacionin dhe në kahun e poshtëm për rritjen ekonomike. Në veçanti, zhvillimet në ambientin e huaj mbeten të pafavorshme, tensionet e fundit sociale mund të pasqyrohen në rritje të pasigurisë dhe reduktim të konsumit, investimeve dhe të ardhurave të turizmit, ndërsa ndikimi në çmime i paketës së re fiskale mbetet për t’u vlerësuar në vijim.
Ekonomia u rrit me 3.6 për qind, pagat me 11.6 për qind
Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u rrit me 3.6% gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, duke ruajtur ritme të ngjashme me ato të një viti më parë. Treguesit e disponueshëm për tremujorin e tretë sugjerojnë vijimësinë e rritjes ekonomike, të mbështetur nga konsumi, investimet dhe eksportet totale.
Kontribut të rëndësishëm kanë dhënë kërkesa për shërbime turistike, si dhe rritja e prodhimit dhe eksporteve të energjisë elektrike. Në aspektin sektorial, shërbimet dhe ndërtimi vijojnë të jenë ndër kontribuuesit kryesorë në zgjerimin e aktivitetit ekonomik.
Edhe tregu i punës ka shënuar zhvillime pozitive. Punësimi në sektorin privat jobujqësor u rrit me 2.3% në tremujorin e dytë, ndërsa shkalla e papunësisë zbriti në 8.3% në fund të gjashtëmujorit të parë.
Rritja e kërkesës së bizneseve për punonjës dhe vështirësitë në sigurimin e fuqisë punëtore kanë vijuar të ushtrojnë presion mbi pagat. Gjatë tremujorit të dytë, pagat u rritën me 11.6% në terma nominalë dhe 6.8% në terma realë.
Banka e Shqipërisë vëren gjithashtu një zhvendosje graduale të fuqisë punëtore nga bujqësia drejt sektorëve të tjerë të ekonomisë.
Kreditimi rritet me 15.5 për qind, leku vijon mbiçmimin
Kushtet e favorshme të financimit kanë vijuar të mbështesin kërkesën e brendshme dhe aktivitetin ekonomik. Sipas Bankës së Shqipërisë, normat e interesit në tregjet financiare mbeten në nivele akomoduese, ndërsa primet e rrezikut janë të kontrolluara.
Tregu valutor ka funksionuar normalisht, i mbështetur edhe nga prania e shtuar e Bankës së Shqipërisë, ndërsa tendenca mbiçmuese e lekut ka vijuar të jetë e pranishme.
Në këtë mjedis, kreditimi ka shënuar rritje të fortë. Rritja vjetore e kredisë arriti në 15.5% gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, e nxitur kryesisht nga zgjerimi i kredisë në lekë.
Financimet janë orientuar drejt investimeve të bizneseve dhe blerjes së banesave nga individët. Ndërkohë, raporti i kredive me probleme ka mbetur në nivele historikisht të ulëta, duke reflektuar cilësinë e qëndrueshme të portofolit të kredisë në sistemin bankar.
Inflacioni pritet të rikthehet në objektiv gjatë vitit 2028
Projeksionet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se perspektiva ekonomike mbetet pozitive në horizontin afatmesëm. Aktiviteti ekonomik pritet të vijojë të zgjerohet, i shoqëruar me rritje të punësimit dhe pagave, ndërsa ritmet e rritjes ekonomike parashikohen të qëndrojnë pranë potencialit.
Megjithatë, inflacioni pritet të rritet lehtësisht mbi objektivin e bankës qendrore gjatë tremujorëve në vijim, kryesisht për shkak të forcimit të presioneve inflacioniste nga jashtë.
Sipas skenarit bazë, normalizimi gradual i këtyre presioneve dhe ecuria e qëndrueshme e faktorëve të brendshëm pritet të mundësojnë rikthimin e inflacionit në objektiv gjatë vitit 2028.
Banka e Shqipërisë paralajmëron se pasiguritë rreth kësaj perspektive janë shtuar. Rreziqet vlerësohen në kahun e sipërm për inflacionin dhe në kahun e poshtëm për rritjen ekonomike.
Ndër faktorët e rrezikut përmenden zhvillimet e pafavorshme në tregjet ndërkombëtare, tensionet e fundit sociale që mund të ndikojnë në konsum, investime dhe të ardhurat nga turizmi, si dhe ndikimi ende i pavlerësuar i paketës së re fiskale mbi çmimet.
Sejko: Politika monetare do të mbetet e kujdesshme dhe fleksibël
Sipas Këshillit Mbikëqyrës, mbajtja e pandryshuar e normës bazë të interesit në 2.5% ofron një balancë ndërmjet pasigurive të shtuara ekonomike dhe mundësisë për normalizimin e politikës monetare në të ardhmen.
Guvernatori Gent Sejko theksoi se forcimi i presioneve inflacioniste nga jashtë dhe shtimi i rreziqeve kërkojnë një qasje të kujdesshme dhe fleksibël në drejtimin e politikës monetare.
Vendimet e ardhshme të Bankës së Shqipërisë do të mbështeten në informacionin e ri ekonomik dhe financiar, në vlerësimin e presioneve inflacioniste dhe në rreziqet që mund të ndikojnë në kthimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektiv.
“Këshilli Mbikëqyrës do të vijojë të monitorojë me kujdes zhvillimet ekonomike e financiare dhe mbetet i gatshëm të reagojë në kohën, kahun dhe me intensitetin e duhur ndaj çdo rreziku që mund të cenojë stabilitetin e çmimeve”, tha Sejko.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)