Secondary Adv

Treguesi i papunesise ulet ne 11,5 per qind:Turizmi dhe bujqesia kontribut kryesor

Share on Google+

Treguesi i papunësisë shënoi rënie të mëtejshme në tremujorin e dytë të vitit 2019, duke arritur nivelin 11,5 për qind. 

 

Ky është një rekord i ri i papunësisë sipas INSTAT, ku shihet se treguesi ka rënë me krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2018 ka rënë me 0,9 pikë përqindje, ndërkohë krahasuar me tremujorin e parë 2019, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,6 pikë përqindje. Të dhënat zyrtare tregojnë se punësimi pësoi rritje në sektorin e shërbimeve me 2,3 %, në sektorin e industrisë me 1,5 % dhe në sektorin e bujqësisë me 2,2 %. Gjatë këtij tremujori, në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit 2018, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 3,4 %, ndërkohë krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019, ky tregues u rrit me 2,1 %. Në tremujorin e dytë të vitit 2019, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, është 69,8 %. 

 

Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2018, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 1,8 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë krahasuar me tremujorin e mëparshëm ky tregues ka pësuar një rritje prej 0,8 pikë përqindje. Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 61,9 %, ndërsa për burrat ky tregues është 77,8 %.Për burrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 15,9 pikë përqindje më e lartë sesa për gratë. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2018, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë është rritur me 2,4 pikë përqindje dhe për burrat është rritur me 1,2 pikë përqindje. Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2019, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 53,0 %. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e dytë 2019, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 78,7 %.

 

Punësimi, udhëheq turizmi

Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2019, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 61,4 %. Ritmi vjetor i rritjes së punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i dytë i vitit 2018 në tremujorin e dytë të vitit 2019, është 3,4 %. Në terma vjetorë, rritja e punësimit sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë është, 4,4 % në sektorin e industrisë, 5,7 % në sektorin e shërbimeve dhe 0,3 % në sektorin e bujqësisë. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e dytë 2019, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 2,1 %. 

 

Punësimi pësoi rrritje në sektorin e shërbimeve me 2,3 %, në sektorin e industrisë me 1,5 % dhe në sektorin e bujqësisë me 2,2 %. Shkalla e punësimit për burrat është 68,4 %, ndërsa për gratë 54,6 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2018, shkalla e punësimit për burrat është rritur me 2,1 pikë përqindje dhe për gratë me 2,4 pikë përqindje. Shkalla e punësimit të të rinjve është 41,9 %. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e dytë 2019, shkalla e punësimit është 71,8 %.

 

Papunësia më e lartë për burrat

Në tremujorin e dytë 2019, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 11,5 %. Në terma vjetorë, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,9 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,6 pikë përqindje. Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 11,6 % dhe për gratë është 11,4 %. Shkalla e papunësisë për gratë është 0,2 pikë përqindje më e ulët sesa për burrat. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2018, shkalla e papunësisë për burrat ka rënë me 1,3 pikë përqindje, ndërsa për gratë ka rënë me 0,4 pikë përqindje.

 

20,9 % papunësia ndër të rinj

Në terma vjetorë shkalla e papunësisë së të rinjve shfaq tendencë në rënie. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2018, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e dytë të vitit 2019 është 1,7 pikë përqindje më e ulët. Krahasuar me tremujorin e parë 2019, shkalla e papunësisë për të rinjtë ka pësuar një rënie prej 1,3 pikë përqindje. Shkalla e papunësisë për grup-moshën 30-64 vjeç është 8,8 %. Në terma vjetorë ky tregues pësoi një rënie prej 0,8 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm për këtë grup-moshë shkalla e papunësisë u ul me 0,3 pikë përqindje.

 

17% e popullsisë jo aktive për punë

Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2019, 17,0% e popullsisë ekonomikisht jo-aktive dhe në moshë pune (15-64 vjeç) ishin duke përmbushur detyrat shtëpiake, 11,9% e saj ishte në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 12,3% në paaftësi të përhershme. Gjatë tremujorit të dytë 2019, 8,4% e popullsisë ekonomikisht jo-aktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 73,2% të të rinjve ekonomikisht jo-aktivë. Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht jo-aktivë, 6,3% klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Në popullsinë e moshës 30-64 vjeç ky grup përbën 10,7% të popullsisë ekonomikisht jo-aktive të kësaj grup-moshe./Monitor


Më të lexuarat