Secondary Adv

Perfundon rehabilitimi i segmentit ne qafen e LLogorase: Nis se shpejti faza e trete e punimeve

Share on Google+

Aksi rrugor që kalon përmes Qafës së Llogorasë i është nënshtruar një rehabilitimi të plotë, duke lehtësuar kështu qarkullimin e automjeteve, veçanërisht gjatë dimrit.

 

Punimet për hedhjen e shtresës asfaltike kanë përfunduar dhe nuk do të ketë më kufizim për qarkullimin e automjeteve, ndërsa puna do të vijojë me vendosjen e sinjalistikës horizontale dhe vertikale. Ndërhyrja në këtë segment u bë në kuadër të kontratës së performancës me Bankën Botërore, ndërsa projekti parashikon edhe një fazë të tretë punimesh, që shtrihet deri në zonën e Qafë Gjashtës në Sarandë. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho inspektuan punimet e bëra në këtë segment rrugor.

 

Kreu i ARRSH bëri të ditur se punimet për rehabilitimin e këtij segmenti kanë nisur në muajin maj të këtij viti ku u bë e mundur ndërtimi i bordurave anësore, ndërkohë që punimet u ndërprenë në fund të muajit qershor për të mos penguar qarkullimin përgjatë sezonit turistik. “Punimet kanë filluar në maj, që ka qenë faza e rehabilitimeve të thella të segmentit të Llogorasë. Janë bërë bordurat anësore deri më 30 qershor. Asfalti këtu është “miks design” për kushtet atmosferike të motit, i cili i reziston ngricave dhe borës. Vijojmë me fazën e tretë, me punime të thella deri në Qafë Gjashtë të Sarandës, si dhe në përfundimin me sinjalistikë horizontale dhe vertikale dhe sigurinë rrugore”, bëri të ditur Verdho.

 

Ministrja Belinda Balluku theksoi se rritja e sigurisë rrugore është objektivi i realizimit të këtyre ndërhyrjeve teksa njoftoi se në kuadër të kontratës së performancës me Bankën Botërore do të ndërhyhet edhe për rehabilitimin e disa akseve të tjera rrugore në vend. “Kjo është një rrugë tjetër, të cilën ne e dorëzojmë në kuadër të kontratës së performancës me Bankën Botërore. Do të vazhdojmë me rrugë të tjera, ashtu siç kemi premtuar dhe me Shijakun dhe me pjesë të tjera, të cilat do t’i identifikojmë. Duke kërkuar edhe bashkëpunimin e Bankës Botërore do të vazhdojmë të kryejmë punime në akse kryesore, të cilat janë rrugë nacionale dhe jo autostrada për të rritur sigurinë rrugore”, u shpreh Balluku.

 

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se ndërtimi tunelit Dukat- Palasë është plani madhor, që qeveria ka për këtë zonë, si pjesë të strategjisë për zhvillimin e turizmit, me qëllim që të aksesohet më shpejtë bregdeti i jugut. “Plani jonë i ardhshëm është që duke filluar nga Dukati dhe duke dalë në Palasë ne të ndërtojmë një tunel të parametrave europian për t’ju krijuar të gjithëve mundësinë e aksesit në rivierën jugore dhe së bashku me aeroportin e Vlorës kjo zonë do marrë një zhvillim të jashtëzakonshëm. 

 

Kjo rrugë do të kthehet plotësisht në një rrugë turistike, që të gjithë shoferët dhe pasagjerët që do ta frekuentojnë, do ta frekuentojnë për të shijuar malin, sesa për të aksesuar pjesën e detit në jug. Deti në jug duhet të aksesohet përmes këtij tuneli që është një nga planet tona, një nga projektet tona të së ardhmes”, nënvizoi Balluku. Krahas ndërhyrjes në aksin e Qafës së Llogorasë, ndërhyrje rehabilituese janë realizuar edhe në segmentin rrugor të Qafë Thanës, ku është bërë e mundur riveshja me asfalt abraziv i pesë kthesave në këtë segment. Këto ndërhyrje bëjnë të mundur lehtësimin e qarkullimit gjatë sezonit të dimrit./SCAN


Më të lexuarat