Secondary Adv

Rritet perqindja e firmave me gra sipermarrese- BB: Gati 7 per qind me e larte se ne 2013

Share on Google+

Në Shqipëri përqindja e firmave me gra sipërmarrëse është rritur nga 13,1 % në 2013, në 20,7% në 2019.

 

Sipas Vrojtimit të ndërmarrjeve për Shqipërinë të publikuar nga Banka Botërore përqindja e grave të punësuara me kohë të plotë në mënyrë të përhershme u rrit nga 45,4% në 2013, në 52,8% në vitin 2019. Sondazhi gjithashtu tregon se ka përmirësime që nga viti 2013 në lidhje me rregulloret. Menaxheret e lartë të firmave private tani kalojnë vetëm 2,3% të kohës së tyre për t’u marrë me rregulloret e nxjerra nga qeveria, përkundrejt 7% në 2013. Mesatarja e ECA është 11%, dukshëm më e keqe se ajo që ka arritur Shqipëria. Ndryshimet në perceptime janë shpesh të vështira për t’u kuptuar dhe interpretuar, pasi ato shpesh nxiten edhe nga aspekte përtej përvojave të drejtpërdrejta, aspekte që Vrojtimi i Ndërmarrjeve nuk i mat.

 

Për më tepër, vrojtimi vë në dukje se firmat janë bërë më të drejtpërdrejta në shprehjen e ankesave për të gjitha aspektet e operacioneve të biznesit të tyre. Ky është një zhvillim pozitiv pasi paraqitja e ankesave ndihmon në identifikimin e çështjeve që duhen adresuar. Lista e pengesave kryesore që bizneset hasin në veprimtarinë e tyre ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme që nga viti 2013, por taksat dhe shkalla e lartë e informalitetit kanë mbetur në krye të listës ndër vite. Në përgjithësi, siç mbështetet nga gjetjet e këtij studimi, mjedisi i biznesit në Shqipëri mund të përfitojë ndjeshëm duke vazhduar progresin në reformat që lidhen me sistemin e drejtësisë, qeverisjen dhe ofrimin e shërbimeve publike, arsimin, infrastrukturën dhe qasjen në financa. Banka Botërore po punon me Qeverinë shqiptare për të kapërcyer shumë pengesa të identifikuara në Vrojtimin e Ndërmarrjeve./ata


Më të lexuarat