Secondary Adv

Prokuroria nis hetimet mbi qindra ndertime: Ne fokus lejet, inxhinieret dhe mbikeqyresit

Share on Google+

Zyrtarisht Prokuroria e Tiranës, Durrësit dhe Krujës kanë nisur hetimet për dëmet nga tërmeti i 26 nëntorit, ku nga shembja e disa godinave humbën jetën shumë persona.

 

Hetimi i parë nga Prokuroritë po kryhet për godinat e shembura që nën rrënojat e tyre zunë poshtë njerëz ku shumë prej tyre nuk mundën të dalin të gjallë. Hetimi i dytë po kryhet për dëmtimin e rëndë të godinave që janë dëmtuar në qytetin e Durrësit por edhe në Thumanë, për të cilat do të hetohet e gjitha puna se si janë ndërtuar dhe personat përgjegjës. Ndërsa hetimi i tretë po kryhet për godinat e dëmtuara në kryeqytet. Në lidhje me këtë rast që futi në zi Shqipërinë, dyshohet se pasojat e rënda në jetë njerëzish kanë ardhur si shkak i ndërtimeve pa leje dhe të mos kryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues dhe të personave të tjerë përgjegjës për mospërmbushjen e rregullt të punës. Prokuroria në terren, tek godinat e rrënuara në Durrës, Thumanë e në Tiranë ka marrë edhe mostrat e ndërtimit të godinave, siç janë fijet e hekurit, copat e betonit, rëra etj.

 

Këto mostra do të analizohen në laboratorët përkatës ku do të përcaktohet edhe nëse kanë qenë të rregullta dhe në masën e duhur për të mbajtur peshën e ndërtimeve të kryera. Në vijim të veprimeve të kryera, po kërkohet informacion Bashkisë së Tiranes e të Durrësit por edhe të Krujës për banesat e evidentuara tashmë si të prekura nga tërmeti dhe të klasifikuara jo në kushtet e duhura për banim. I njëjti informacion i është kërkuar dhe strukturave të tjera shtetërore. Konkretisht Prokuroria e Durrësit çështjen e ka regjistruar më 29 nëntor, tre ditë pas tërmetit shkatërrimtarë që mori shumë jetë njerëzish. Në këtë dosje do të hetohen edhe nënpunësit shtetëror të ngarkuar me mbikëqyrjen e këtyre ndërtimeve. Çështja është regjistruar për veprat penale; "Ndërtim pa leje", dhe "Shpërdorim detyre", parashikuar nga nenet 199/a, 3 dhe 248 të kodit penal.

 

Po kështu Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka filluar kryesisht hetimet në lidhje me situatën e krijuar nga fatkeqësia natyrore. Hetimi ka si objekt kryerjen sqarimin e rrethanave që kanë çuar në pasojat e ardhura. Veprat penale që po hetohen janë ato të 'Shpërdorim detyre', parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ku do hetohet për organet që kane miratuar lejet e ndërtimit dhe nëse ato janë dhënë në mbështetje të ligjit, si dhe nëse ndërtuesit kanë respektuar lejen e marrë, 'Ndërtim i paligjshëm, parashikuar nga neni 199/a i Kodit penal, 'Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm, neni 199/b i Kodit Penal'. Në lidhje me këtë hetim Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka ngritur një grup hetimor.

 

Ndërsa për sa i përket Prokurorisë së Rrethit të Krujës procedimi penal është regjistruar për akuzën 'Shpërdorimit të detyrës', 'Ndërtimit pa leje' dhe 'Falsifikimit të dokumenteve për ndërtimet' në zonën e Krujës, kryesisht në Thumanë dhe Bubq. Gjatë një komunikimi të gazetarit të Shqiptarja.com, Elton Qyno me drejtuesin e prokurorisë Krujë konfirmuan nisjen e hetimeve për këtë  çështje. Nga 52 viktima që la pas tërmeti i 26 nëntorit me magnitudë 6.4 i shkallës rihter, 49 prej tyre gjetën vdekjen si pasojë e inertëve që u shembën mbi trupat e tyre. Janë shtatë ndërtesat në Durrës dhe tre ato në Thumanë krejtësisht të shembura për shkak të tërmetit të 26 nëntorit. Por edhe qindra pallate dhe banesa të tjera që u dëmtuan, por që, duke qenë se nuk u shembën krejtësisht, nuk shkaktuan viktima, mendohet të jenë ndërtuar në mënyrë abuzive.

 

Kujtojmë se gjendja e mjerueshme e tre pallateve në Thumanë që u shembën pas tërmetit, është denoncuar prej vitit 2010 por nga kjo kohë e deri më 26 nëntor, askush nga zyrtarët nuk kishte marrë masa, për të parandaluar një tragjedi të tillë. Mosveprim ky që në ditët në vijim ka shumë gjasa që të shoqërohet edhe me verifikime hetimore nga prokuroria e Krujës. Nga ana tjetër objektet e rrëzuara si Bar-Restorant dhe Hotel “MiraMare” në Durrës, janë ndërtime që kanë nisur si godina 2 katëshe dhe që më pas në vitet në vijim, janë rritur me leje ose pa lejë nga bashkia Durrës, me tre apo katër kate të tjera. Kjo ka bërë që pesha mbi kolonat e projektuara për ndërtim dy kate, të rritet mbi kapacitetin e mundshëm./Shqiptarja.com


Më të lexuarat