Secondary Adv

Termeti demtoi edhe bankat: 72 mln euro portofoli i kredive hipotekore ne Durres

Share on Google+

Dëmet e shkaktuara nga tërmeti në ndërtesa pritet të përfshijnë si palë jo vetëm qytetarët, por edhe sektorin bankar dhe atë sigurimeve. 

 

Për pasuritë e blera me kredi dhe të lëna si kolateral, kërkohet detyrimisht edhe sigurimi i pronës për të gjithë shumën e kredisë që blerësi ka marrë në bankë. Dëmet e plota apo të pjesshme të shkaktuara nga tërmeti në kolaterale, do të shlyhen nga kompanitë e sigurimit, pasi të jenë ndjekur procedurat përkatëse të njoftimit dhe ekspertimit. Të paktën deri në shumën e kredisë, qytetarët nuk do të kenë një kosto për dëmet në banesat e lëna si kolateral dhe të siguruara. Sigurisht që është ende herët për të pasur një bilanc të përafërt lidhur me numrin dhe vlerën e kolateraleve të dëmtuara nga tërmeti dhe që do të jenë objekt zhdëmtimi nga siguruesit.

 

Megjithatë, mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, në qarkun më të prekur nga tërmeti, atë të Durrësit portofoli i kredisë për blerjen e pasurive të paluajtshme nga individët në fund të muajit shtator ishte 8.8 miliardë lekë ose rreth 72 milionë euro. Në qarkun e Tiranës, portofoli i kredisë ka edhe përmasat më të mëdha, me rreth 79 miliardë lekë ose rreth 640 milionë euro. Sidoqoftë, dëmet në këtë qark deri tani duken të kenë qënë më të kufizuara. Qarku i tretë i prekur nga tërmetet, ai i Lezhës, ka një portofol kredish hipotekore më modeste, në vlerën e 1.8 miliardë lekëve ose rreth 15 milionë eurove. 

 

Për sa i takon primeve të sigurimit, në total primet për mbulimin e dëmeve nga forcat e natyrës deri në fund të shtatorit ato kishin vlerën modeste të 882 milionë lekëve ose rreth 7.2 milionë eurove. Kjo shumë përfshin brenda vetes edhe primet për sigurimin e pronave të lëna si kolateral. Për 9 muajt e parë të vitit, dëmet në klasat e sigurimit të pronës kishin vlerë mjaft modeste, me rreth 166 milionë lekë ose 1.35 milionë euro. Por, pas tërmetit të 26 nëntorit, është mëse e pritshme që kompanitë e sigurimeve të paguajnë një faturë të konsiderueshme financiare nga dëmet e shkaktuara./Scan


Më të lexuarat