Secondary Adv

Rindertimi i banesave i merr buxhetit 20 mld leke: Ja projektet qe sakrifikohen

Share on Google+

20 miliardë lekë është fondi i parashikuar të alokohet nga qeveria për të nisur fazën e parë të punimeve për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti.

 

Hapi tjetër që pritet të miratohet shumë shpejt është edhe krijimi i një fondi prej 1 miliard lekësh që do të jepet për bonusin e qirasë, për një vit, për familjet e prekura të cilat do të strehohen në apartamente. Projektet që ende nuk kanë nisur dhe ato projekte për të cilat duhet paguar kësti i parë në vitin 2020 rrezikojnë të pezullohen dhe të shtyhen me një vit, për të kaluar fondet për rindërtimin e banesave. Ky fakt është bërë i ditur nga Ministrja e Financave Anila Denaj nga foltorja e Kuvendit, të enjten. Me pas do të pezullohen të gjitha fondet që do të përdoren për rikonstruksione godinash, blerje automjetesh apo pajisjesh kompjuterike. Po kështu, do të shikohen edhe projektet koncesionare më të diskutueshme, kostoja e të cilave arrin në 300 milionë euro.  

 

Dy kontratat koncesionare Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat është parashikuar të marrin nga buxheti i shtetit vitin që vjen 493.1 milionë lekë. Ky është kësti i parë që do të paguajë shteti për këto dy kontrata, konkretisht janë parashikuar 100 milionë lekë për shërbime konsulence për projektimin, ndërtimin dhe operimin e rrugës Milot – Balldren. Ndërsa për kontratën e rrugës Porti i Jahteve - By Pass Orikum –Dukat janë parashikuar dy këste, një për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen të rrugës në vlerën e 313.1 milionë lekë dhe tjetri për shërbime konsulence te pavarura për zbatimin e kontratës në vlerën e 80 milionë lekë. Fakti që të dyja këto kontrata ende nuk kanë nisur zbatimin e tyre dhe janë në proces të plotësimit të dokumentacionit, rrit shumë mundësinë që ato të shtyhen për një vit dhe fondi i parashikuar t’i kalojë programit të rindërtimit.

 

Ndërkohë për vitin 2020 po për Ministrinë e Infrastrukturës, në zërin “ndërtim dhe sistemim rrugësh” është parashikuar një fond prej 4.7 miliardë lekësh, ku 1.3 miliardë janë parashikuar për aksin Kardhiq-Delvinë. Punimet në këtë segment rrugor u anuluan këtë vit sipas Ministrisë së Infrastrukturës për mungesë fondesh, ndërkohë që rrezikojnë të shtyhen edhe me një vit po për të njëjtën arsye. Të njëjtin fat mund të ketë edhe hekurudha Tiranë-Durrës, për të cilën fituesi i tenderit duhet të shpallet vitin që vjen dhe në buxhet është parashikuar vlera prej 250 milionë euro për ndërtim dhe shpronësime. Po ashtu në listën e investimeve për vitin që vjen po për këtë ministri janë parashikuar edhe një sërë projektesh të reja që nisin në 2020 dhe disa prej tyre përfundojnë po në këtë vit. 

 

Janë rreth 321 milionë lekë të parashikuara për projekte të reja duke filluar nga mbështetje teknike për furnizim me uji, ndërtime dhe restaurime të rrjetit ujësjellës, sistem monitorimi për trafikun detar, landfilld në Bajkaj, aparatura laboratorike për treguesit cilësorë te naftës dhe gazit apo mjete transporti, e deri tek projektet për planifikimin urban. Infrastruktura rrugore mban peshën më të madhe të fondeve të parashikuara për projektet e reja si dhe për kontratat koncesionare, por edhe sektorët e tjerë nuk mbeten pas. Vetëm për Ministrinë e Bujqësisë janë parashikuar 900 milionë lekë për investime të reja, që fillojnë me rikonstruksione godinash të drejtorive të varësisë që mbajnë edhe peshën më të madhe të shpenzimeve, e deri tek ngritja e sistemeve ujitëse, kanalizime, ndërtime për mbrojtje nga përmbytjet, ndërtime argjinaturash si dhe blerje pajisjesh kompjuterike të nevojshme./Shqiptarja.com


Më të lexuarat