Secondary Adv

Tronditet tregu i pasurive te paluajtshme: Ikje nga kullat drejt ndertesave te uleta

Share on Google+

Tërmeti i 26 nëntorit, përveç bilancit tragjik, la pas edhe një dëm të konsiderueshëm, ku mijëra familje në zonat e prekura nga fatkeqësia mbetën pa një çati mbi kokë.

 

Të prekurit nga tërmeti aktualisht janë të vendosur në njësitë akomoduese, kryesisht hotelet në bregdet, në çadra apo në qendrat sociale. Qeveria parashikon që deri në fund të muajit njerëzit të zhvendosen nga hotelet në shtëpi me qira. Paniku i krijuar po ndikon në tregun e pasurive të paluajtshme në vend, duke e zhvendosur preferencën drejt ndërtesave të ulëta. Ditët e fundit janë shtuar në rrjetet sociale njoftimet e sponsorizuara të vilave dhe shtëpive private, që jepen me qira. Në fakt agjencitë e pasurive të paluajtshme në Tiranë thanë se marrin me dhjetëra kërkesa në ditë të individëve që kërkojnë që të vendosen në apartamente që ndodhen në katet e para apo në shtëpi private. Nuk kanë munguar as kërkesat për blerje trojesh për të ndërtuar shtëpi private apo vila.

 

Klajdi Memajdini, menaxher shitjesh në agjencinë Devinf  tha për Monitor se ka pasur shumë kërkesa për vila dhe për apartamente. Memajdini shpjegon se në përgjithësi individët kërkojnë shtëpi për një periudhë të shkurtër, edhe gjatë kësaj periudhe do të kërkojnë për tokë për të ndërtuar vetë. “Kërkesa e qiramarrësve është specifike, kërkojnë apartamente në kate të ulëta dhe në ndërtim cilësor, ose në komplekse me pallate të ulëta”,- shpjegon Memajdini. Xheni Jahja, nga agjencia Tirana Real Estate, argumenton se janë dy grupe kryesore që po kërkojnë shtëpi me qira, individë të cilët i ka kapur paniku për shkak të lëkundjeve të tërmetit  dhe pasgoditjeve dhe grupi i dytë, të cilët kanë pasur dëme madhore në shtëpi.

 

Genc Zike, nga agjencia DevInf, thotë se ka pasur një kërkesë të shtuar për shtëpitë në katet e para dhe për shtëpite private. Edhe Juliana Nela, broker në kompaninë Remax, konfirmoi tendencën në rritje për shtëpi me qira, ku përveç atyre që duan të ndryshojnë shtëpitë e kateve të larta, janë edhe ata që shtëpitë u kanë dalë të pabanuara dhe kanë mundësi financiare për të jetuar këto ditë në apartamente me qira. Në Tiranë numërohen rreth 1300 shtëpi të pabanueshme, sipas të dhënave zyrtare nga  Zyra e Ministrit Fuqiplotë për Adresimin e Pasojave të Tërmetit, të cilët duhet të akomodohen në shtëpi të sigurta. Ndërkohë që shumë qytetarë, që jetojnë në katet e larta në Tiranë po kërkojnë që të zhvendosen në apartamente që janë në katet përdhese apo në shtëpi private. 

 

Qiratë në Tiranë rriten me 50-70 euro

Juliana Nela nga Remax, thotë se është vënë re një rritje e çmimit të qirasë. Në shtëpitë me standard, çmimi është rritur nga 50-70 euro më shumë në muaj. Ndërsa shtëpitë e lira, të cilat jepen me qira nga 25 mijë lekë apo 250 euro, nuk kanë pasur ndryshime domethënëse në çmim. 

 

Nuk mungojnë as ofertat për shtëpi me qira

Situata e jashtëzakonshme që krijoji tërmeti, ka zgjuar interesin e shumë individëve për të lënë shtëpi me qira. Në rrjetet sociale nuk mungojnë as postimet e sponsorizuara për shtëpi dhe vila private të cilat jepen me qira, shiten, apo edhe ndërrohen. I tillë ishte edhe rasti i një shtëpie private në fshatin Romanat në Durrës, e cila doli në oferta fill pas tërmetit të 26 nëntorit, ku njoftohet se pranojnë që të ndërrojnë shtëpinë private me apartament në Tiranë. Por nuk kanë munguar as ofertat për shitje të shtëpive private. Në 3 dhjetor, ka dalë në shitje një shtëpi një katëshe në rrugën Myslym Keta për një çmim prej 75 mijë euro. 

 

Tregu, mungesë të shtëpive ekonomike

Agjencitë e pasurive të paluajtshme thonë se do të jetë e vështirë që të përballohet ky fluks i menjëhershëm i kërkesave për qira. Tirana ka një ofertë të limituar të shtëpive me qira në këto moment, kur kanë filluar edhe universitetet dhe do të jetë deri diku e vështirë për qiramarrësit e rinj që të kërkojnë shtëpi ekonomike. Sipas agjencive të pasurive të paluajtshme oferta e shtëpive bosh është në përgjithësi me apartamente të shtrenjtë. Shtëpitë e  lira janë zënë gjatë periudhës gusht- shtator. 

 

Kategoria e pronave të shtrenjta dhe të mira, do kohë që të jepet me qira pasi pronari kërkon garanci edhe nga qiramarrësi për aftësinë paguese dhe kohën që do të rrije. Ndërsa bonusi i qirasë që do të japë Bashkia, i cili varet nga anëtarët e një familje do të variojë nga 18-27 mijë lekë. Këto lloj tarifash janë për zonën e Kombinatit dhe Misto Mames, dhe nuk vlejnë as për Yzberishtin dhe Unazën e Re, të cilat janë mbipopulluara nga studentët dhe familjet e reja. Në qendër as nuk bëhet fjalë që të gjesh apartament me këto tarifa, pohojnë agjentët e pasurive të paluajtshme. 

 

Paniku zgjon interesin për vilat, larg nga kullat

Ndonëse tregu i pasurive tw paluajtshme në kryeqytet ka mungese të ofertës së lirë për shtëpi private apo vila, në pjesën më të madhe të rasteve ato janë të shtrenjta, të përballueshme nga individë me të ardhura të larta. Klajdi Memajdini, menaxher shitjesh nga DevInf thotë se edhe vilat e vogla, ku janë të përballueshme kostot e qirasë, janë të zëna. Memajdini shton se kohët e fundit fokusi ka qenë te ndërtimi  i kullave dhe pallateve te larta, por kjo mund të ndryshojë në vijim. Sipas tij edhe individët me të ardhura të larta po konsiderojnë që ta shesin dhe ta japin me qira apartamentet në kate të larta dhe të shkojnë në vila. Nuk kanë qenë të paktë as individët që kanë shprehur interesin për të blerë një truall për të ndërtuar.

 

Problematika qëndron se një pjesë e parcelave janë kategorizuar si brez jeshil, të caktuar si toke bujqësore dhe nuk mund të ndërtohet. “Troje të lira ka shumë, por ka mungesë  të trojeve të lira, që kanë studim për ndërtim. Ato troje që e kanë studimin janë tepër të shtrenjta,- shpjegon ai. Sipas tij çmimet në zonën e Lundrës, një nga më të kërkuarat variojnë në 110-180 euro për metër katror. Në Vaqarr, pak kërkojnë edhe pse ka toka të lira. Individët, sipas Memajdinit, duan të ndërtojnë në zona ku ka tashmë infrastrukturë, sikurse është Liqeni i Farkës ku janë edhe komplekset e reja të vilave apo nga Sauku. Memajdi thonë se kanë vënë re se ka kërkesë të lartë për godina tre katëshe, që shiten si apartamente./Monitor 


Më të lexuarat