Secondary Adv

AMF percakton fondin e kompensimit: Sa do paguajne kompanite e sigurimit ne 2020

Share on Google+

Autoriteti i Mbikqyrjes Finanicare ka vendosur që për vitin 2020 Fondi i Kompensimit që depozitohet nga kompanitë e sigurimit do të jetë 446 milionë lekë. 

 

Në një vendim të posaçëm AMF përcakton se shoqëritë duhet të vijojnë me pagesat e praktikave me datë ngjarje më të hershme ndërkohë që do të jetë Byroja Shqiptare e Sigurimit ajo që do të të shpërndajë dhe të njoftojë shoqëritë e sigurimit për vlerën respektive të Fondit të Kompensimit. Por shuma prej 446,418,331 lekë nuk është finale. Ajo mund të rishikohet sipas AMF në baza tremujore. Shuma e miratuar si Fond Kompensimi nga ana e Autoritetit është më e lartë sesa ajo që më herët ishte propozuar nga Asambleja e Anëtareve të Byrosë Shqiptare të Sigurimit. 

 

Sipas ligjit kjo asamble brenda datës 30 nëntor të çdo viti, i propozon për miratim Autoritetit shumën e kontributeve të çdo shoqërie sigurimi për financimin e Fondit të Kompensimit të vitit pasardhës. Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve te BSHS-së në mbledhjen e datës 5 dhjetor 2019, shqyrtoi Fondin e Kompensimit, situatën e çështjeve gjyqësore dhe propozoi që masa e kontributit për Fondin e Kompensimit të vitit 2020, të jetë 311,215,112 lekë ndërkohë që Fondi që miratoi AMF është 446 milionë lekë.

 

Dëmet pezull 829 milionë lekë 

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare bëri me dije se bazuar në vendimin e Bordit nr. 260, datë 28.12.2018, shoqëritë e sigurimit duhet të raportonin në pasqyrat financiare me datë 31.12.2019, provigjon për shpenzime për Fond Kompensimi, vlerën 382,784,517 lekë, që i përket praktikave në proces trajtimi dhe në proces gjyqësor në Gjykatën e Shkallës së Parë. Në total dëmet në proces trajtimi dhe në proces gjyqësor me datë 30.11.2019 janë në vlerën 829,202,848 lekë, vlerë e cila përfshin provigjonin për shpenzim sipas vendimit të Bordit nr. 260, datë 28.12.2018./Burimi: Monitor


Më të lexuarat