Secondary Adv

Penalitetet per demet mjedisore: Këshilli i Ministrave miraton listen e re te gjobave

Çdo veprim që shkakton dëme mjedisore do të penalizohet me gjoba mjaft të rënda. 

 

Përmes një vendimi që mban datën 13 shkurt, Këshilli i Ministrave ka miratuar listën e re të gjobave për shkeljet mjedisore, të cilat tashmë mund të shkojnë në qindra mijëra dollarë për shkelje të rënda. Përmes vendimit, Qeveria vendos normat për përcaktimin e vlerës së dëmit të shkaktuar në zonat e mbrojtura mjedisore, e cila përbëhet nga dëmi i shkaktuar dhe kostot e riparimit të dëmit, e të rehabilitimit të zonës e të kthimit të saj në gjendjen e mëparshme, si dhe administrimin e vlerës monetare të zhdëmtimit nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura. Shpyllëzimi i fondit pyjor ose i pyjeve pa miratimin përkatës, dhe pa përdorimin e tokës, është edhe shkelja që penalizohet me gjobat më të rënda, që shkojnë 8.5 milionë lekë, apo rreth 85 mijë dollarë për hektar. 

 

Por mjafton edhe zënia ose përdorimi pa leje i këtyre sipërfaqeve, pa i dëmtuar ato, që shkelësit të përballen me gjoba të rënda prej 3 milionë lekësh, apo 30 mijë dollarësh për hektar. Penalitetet të kripura janë parashikuar edhe për guroret, shfrytëzimin e materialeve inerte, apo edhe thjesht punimet pa leje. Ndërtim pa leje i furrave të gëlqeres, kamina për qymyr druri, eshkë, kovaçi, katrani e të tjera të kësaj natyre, pavarësisht nga madhësia do të gjobiten me 10 mijë lekë copa.  Kryerja e gërmimeve ose punimeve të tjera për nxjerrjen e gurëve, rërës, zhavorrit, dheu, humusit, plisave të barit e të tjera si këto do penalizohen me 8 mijë lekë për metër kub. Ndërkohë që hapja e rrugëve, linjave telefonike, telegrafike, televizive, gazsjellëse, naftësjellës, kanaleve, linjave të tensionit të lartë, ujësjellësve e të tjera të kësaj natyre, pa miratimin përkatës në zonat e mbrojtura do të penalizohet me gjoba deri 600 dollarë për metër kub./Burimi: SCAN


Më të lexuarat