Secondary Adv

Qeveria merr vendimin: Shpall gjendjen e fatkeqesise natyrore per shkak te koronavirusit

Share on Google+

Shqipëria shpalli për 30 ditë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në të gjithë territorin për shkak të situatës nga koronavirusi, ku deri tani janë shënuar 5 viktima.

 

Gjendja e emergjencës parashikon kufizimin e të drejtave të garantuara nga nenet 37, 38, 41, pika 4, 49 dhe 51 të Kushtetutës deri në masën që konsiderohet e  domosdoshme për të arritur ruajtjen e shëndetit të shtetasve. Por në fakt, disa nga të drejtat që parashikohen që të kufizohen me gjendjen e fatkeqësisë natyrore janë kufizuar prej disa ditësh, pasi ndalohet dalja jashtë orarit të përcaktuar, lëvizja nga qyteti, dalja nga vendi, mbyllja e bizneseve, etj! Gjithashtu qeveria miratoi edhe paketën social-ekonomike duke i dalë përpara këtij vendimi. Pra me vendimin për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, qeveria vendimet që ka marrë deri tani i mbështet ligjërisht.

 

Por kush do ta drejtojë? Komiteti  Ndërministror i Emergjencave Civile (KNEC) i ngritur në nëntor të vitit të kaluar për gjendjen e jashtëzakonshme nga tërmeti tragjik në tre qarqe, do të organi më i lartë për koordinimin dhe bashkërendimin e veprimeve të institucioneve shtetërore dhe të subjekteve private, si dhe të burimeve financiare e materiale për përballimin e fatkeqësisë natyrore për shkak të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, deri në 30 ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Anëtar i KNEC-së me vendim të qeverisë caktohet dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj. Në mbledhjet e KNEC-së marrin pjesë, me kërkesë të kryetarit, përfaqësues të organeve të ndryshme publike, të biznesit, ekspertë/ profesionistë të fushës së mjekësisë e të shëndetit publik dhe përfaqësues të shoqërisë civile ose drejtues të OJF-ve me objekt veprimtarie shëndetin publik dhe ndihmën humanitare. 

 

Instituti i Shëndetit Publik caktohet në rolin e Sekretariatit Teknik të KNEC-së, për çështje të fatkeqësisë natyrore të shpallur për shkak të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19. Por çfarë ndodh nga nesër, pasi në fuqi sot u fut vendimi për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore? Masat e jashtëzakonshme në kushtet e gjendjes së fatkeqësisë nga koronavirusi prekin të gjitha institucionet, që duhet të realizojnë plane masash organizative dhe administrative për përballimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, ndërsa edhe buxhetin duhet ta rivlerësojnë në bazë të situatës së krijuar. Institucionet përveç vendosjes në dispozicion të burimeve njerëzore e logjistike duhet të caktojnë objektet shtetërore në përgjegjësinë e tyre të administrimit, që mund të vihen në dispozicion. Institucionet aktivizojnë dhe organizojnë procedurën e karantinës për popullsinë e rrezikuar.

 

Çfarë ndalohet? "Në gjendjen aktuale të fatkeqësisë natyrore ndalohen tubimet, manifestimet dhe grevat. Gjithashtu kufizohen aktivitetet në minimumin e domosdoshëm për të gjitha organet publike. Kufizohet lëvizja e lirë për brenda ose jashtë shtetit në përputhje me nevojat e diktuara nga fatkeqësia natyrore. Subjektet private në këtë gjendje që ndodhet aktualisht vendi janë të detyruara që të mbyllin ose të kufizojnë përkohësisht veprimtarinë e tyre. Po, ashtu kufizohet zhvillimi i aktiviteteve ekonomike për subjektet private në përputhje me nevojat e diktuara nga fatkeqësia natyrore, pra mbyllja e bizneseve të përcaktuara në vendim. Për mjetet e angazhuara në përballimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore nuk vilet  tarifa e kalimit rrugor". Praktikisht shumica e këtyre masave janë marrë nga qeveria, ndërsa tani mbështeten në ligj./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat