Secondary Adv

Gjendje e Jashtezakonshme: Detyrimet e reja per institucionet, qytetaret dhe bizneset

Share on Google+

Me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe atij të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave vendosi shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në të gjithë Shqipërinë. 

 

Në këtë mënyrë, kufizohen disa të drejta kushtetuese deri në masën që konsiderohet e domosdoshme për të arritur ruajtjen e shëndetit të shtetasve. Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile (KNEC), i ngritur pas tërmetit të 26 nëntorit do të jetë organi më i lartë për koordinimin dhe bashkërendimin e veprimeve të institucioneve shtetërore dhe të subjekteve private, si dhe të burimeve financiare e materiale për përballimin e fatkeqësisë natyrore për shkak të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, deri në 30 (tridhjetë) ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

 

Për përballimin dhe lehtësimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore merren masat e jashtëzakonshme, si më poshtë vijon:

Institucionet publike:

a) të realizojnë plane masash organizative dhe administrative për përballimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore;

b) të përdorin burimet financiare të parashikuara në buxhetin vjetor, si dhe të rivlerësojnë buxhetin e tyre vjetor, në përputhje me kryerjen e shpenzimeve shtesë të paparashikuara; 

c) të vënë në dispozicion burimet njerëzore e logjistike;

 

ç) të caktojnë objektet shtetërore në përgjegjësinë e tyre të administrimit, që mund të vihen në dispozicion për strehimin e popullsisë së evakuuar;

d) të kufizojnë aksesin në ambiente publike, të cilat kanë një frekuentim të gjerë;

dh) të ndalojnë tubimet, manifestimet dhe grevat;

e) të kufizojnë aktivitetet në minimumin e domosdoshëm për të gjitha organet publike;

ë) të vendosin në karantinë të gjithë personat e konfirmuar ose të dyshuar se janë të prekur nga COVID-19;

 

f) të krijojnë dhe të sigurojnë zonat e karantinës me personel, të cilit t’i sigurohen të gjithë masat parandaluese për të evituar infektimin;

g) të garantojnë kushtet dhe stafin e kualifikuar për kurim të specializuar në qendrat e karantinës;

gj) të pajisin të gjithë punonjësit e qendrave spitalore dhe shëndetësore me bazën e nevojshme materiale për shmangien e infektimit.

Strukturat operacionale të sistemit të mbrojtjes civile:

 

a) të vendosin dhe të zbatojnë masa të veçanta për garantimin dhe rritjen e sigurisë së shtetasve në zonat e prekura nga fatkeqësia;

b) të aktivizojnë dhe të organizojnë procedurën e karantinës për popullsinë e rrezikuar;

c) të organizojnë kontrolle të njëanshme të banesave dhe objekteve private për evidentimin dhe trajtimin e personave të prekur nga virusi.

ç) të kufizojnë lëvizjen e lirë për brenda ose jashtë shtetit në përputhje me nevojat e diktuara nga fatkeqësia natyrore;

 

d) të kufizojnë organizimin e grevave;

dh) të kufizojnë zhvillimin e aktiviteteve ekonomike për subjektet private në përputhje me nevojat e diktuara nga fatkeqësia natyrore;

e) të japin ndihmën e parë ndaj personave të prekur nga virusi dhe të realizojnë transportimin e të prekurve për në qendrat spitalore ose në infrastrukturën e karantinës;

ë) të organizojnë procedurat e detyruara për kryerjen e shërbimeve funerale.

 

Subjektet private:

a) të respektojnë procedurat dhe masat për karantinën;

b) të informojnë lidhur me të dhënat që ndihmojnë institucionet dhe strukturat e mbrojtjes civile në përballimin e gjendjes së fatkeqësisë;

c) të përfshihen në detyra të veçanta, në përputhje me përgatitjen, aftësitë dhe me nevojën për të ndihmuar në kapërcimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore;

ç) të mbyllin ose të kufizojnë përkohësisht veprimtarinë e tyre;

d) të mos vjelin tarifat e kalimit rrugor për mjetet e angazhuara në përballimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore. 

 

Shtetasit:

a) të zbatojnë urdhrat, masat dhe udhëzimet e autoriteteve të mbrojtjes civile, si dhe të ndjekin procedurat e kërkuara, në mënyrë të veçantë për karantinën dhe pezullimin e aktiviteteve;

b) të informojnë lidhur me të dhënat që ndihmojnë institucionet publike dhe strukturat e mbrojtjes civile në përballimin e gjendjes së fatkeqësisë;

c) të përfshihen në detyra të veçanta, në përputhje me përgatitjen, aftësitë dhe me nevojën për të ndihmuar në kapërcimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore./Burimi: SCAN


Më të lexuarat