Secondary Adv

Doganat mungese te ardhurash: Ja kush jane sektoret me te goditur nga pandemia

Share on Google+

Sektori i hidrokarbureve është një nga sektorët më të goditur gjatë pandemisë së koronavirusit në vend. 

 

Bllokimi i aktivitetit, rënia e çmimit dhe kërkesës për naftë ka ndikuar dhe në të ardhurat në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Vetëm në periudhën mars-prill Doganat kanë patur një humbje prej 2,3 miliardë lekë nga sektori i hidrokarbureve, ku vetëm nga akciza ka pasur humbje prej 1 miliardë lekë. “Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ishte institucioni që u përball edhe me mungesë të theksuar të ardhurash nga sektori hidrokarbur. Nëse flasim për 2.5 miliardë lekë të munguara, vetëm Dogana pati një humbje prej 2,3 miliardë lekësh pasi situata ndikoi në rënie të konsumit. 

 

Vetëm për periudhën mars-prill kemi të importuara 24 mijë tonë me pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Ndërkohë që deri në shkurt ishëm me 6 mijë tonë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Pra efekti qe i menjehershëm një muajt mars dhe prill. Ky efekt në rënien e konsumit dhe kërkesës u shoqërua edhe me një rënie të theksuar të çmimit në bursat ndërkombëtare ku Dogana u përballë sipas zërave: 

 

Nga akciza u përballë me një rënie prej 1 miliardë lekë, nga TVSH me 600 milionë lekë, nga rënia e çmimit 500 milionë dhe nga renta 180 milionë, pasi edhe 70 mijë tonë nga burto që ishte parashikuar të eksportohej nga Bankers nuk u arrit të eksportohej që rrjedhimisht dha efektin negative, pra në total 2,3 miliardë lekë janë të ardhura të munguara vetën nga Dogana. Përveç pjesës të të ardhurave, pati edhe efekte të tjera sepse edhe prodhimi vendas ndaloi. 

 

Kompania Bankers ndaloi prodhimin si rrjedhojë e rënies së kërkesave edhe të çmimeve”, deklaroi nëndrejtori i DPD Ylber Karanxha në mbledhjen e Task Forcës së ngritur për menaxhimin e situatës së krijuar në sektorin e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës në vend për shkak të Covid-19. Karanxha shtoi se mund të ketë një shtesë të kapaciteteve për stokimin e naftës të Albpetrol, ndërsa në lidhje me Tosk Energy garancia mund të revokohet nëse nuk rinovohet brenda një periudhe 30 ditore.

 

“Kompania Albpetrol u përballë me një mungesë të kapaciteteve të stokimit ku në bashkëpunim dhe me administratorin e Albpetrol kemi arritur të krijojmë në fakt një mundësi për depozitimin e 15 mijë metër kubëve naftë për një periudhë besoj një muaj-një muaj e gjysëm. Jemi në diskutime edhe për një shtesë të kapaciteteve që besoj se do kemi zgjidhje edhe për atë pjesë.

 

Jemi edhe para faktit tjetër që për sa kohë rafineria e Ballshit nuk po punon ka sjellë të gjithë këtë bllokim. Aktualisht autorizimi i magazinës fiskale për subjektin Tosk Energy i ka përfunduar garancia. Bazuar në përcaktimet ligjore ne kemi bërë pezullimin e autorizimit dhe nëse brenda një periudhe 30 ditore nuk do të rinovohet garancia do të shkohet drejt revokimit të garancisë, pasi këto janë dhe përcaktimet ligjore”./Burimi: Monitor


Më të lexuarat