Secondary Adv

Program punesimi per te papunet e pandemise: Subvencione nga shteti per biznesin

Share on Google+

Kush ka dalë i papunë për shkak të krizës nga Covid, për periudhën 10 mars deri 23 qershor, mund të bëhet pjesë e programit të qeverisë për t’u punësuar në sektorin privat. 

 

Paga minimale në shkallë vendi 26 mijë lekë do të subvencionohen nga shteti për 2 muaj nëse kompania punëson me kontratë 4-mujore punëkërkuesin dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të punësuarit për gjithë periudhën. Për programin 8-mujor të punësimit subvencionimi nga shteti i pagës minimale do të jetë për 4 muaj dhe të kontributeve për gjithë periudhën. Nëse lidhet kontratë 1-vjeçarë punësimi shteti merr përsipër të subvencionojë vetëm kostot e sigurimeve të detyrueshme për 12 muaj. Në mbledhjen e fundit qeveria miratoi vendimin me procedurat dhe kriteret që duhet të plotësojë biznesi dhe individët e papunë për t’u bërë pjesë e programit të punësimit. 

 

Vendimi përcakton se personat e dalë të papunë për muajt 10 mars deri më 23 qershor, duhet të jenë të evidentuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe të regjistruar në zyrën e punës. Sakaq punëkërkuesi mund të marrë pjesë vetëm një herë në këtë program të punësimit. Për t’u bërë pjesë e programit të punësimit punëdhënësi duhet të plotësojë disa kritere, siç janë të jetë i regjistruar si shoqëri tregtarë, të mos ketë shkelur ligjin e punësimit përpara shpalljes të pandemisë, vendi i punës i financuar nga ky program, duhet të vijë si rezultat i rritjes së fuqisë punëtore në aktivitetin e punëdhënësit, të mos ketë detyrime ndaj tatimeve etj.

 

Të papunët që mund të përfshihen në program

Punëkërkuesit me të drejtë përfitimi janë të gjithë punëkërkuesit e papunë që kanë dalë të papunë si pasojë e COVID-19, të evidentuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe të regjistruar në zyrën e punës. Punëkërkuesi, pjesëmarrës në programet sipas pikës 1, të kreut I, të këtij vendimi, nuk mund të zëvendësohet. 3. Një punëkërkues mund të marrë pjesë vetëm një herë në këtë program.

 

Kërkesat që duhet të plotësojë punëdhënësi

a) Të jenë shoqëri tregtare të regjistruara;

b) Të jenë subjekt i pagimit të taksave dhe të jenë të regjistruar si punëdhënës pranë autoriteteve tatimore;

c) Të mos kenë shkelur legjislacionin për punësimin në dy vitet e fundit përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë, sipas pikës 1, të kreut I, të këtij vendimi;

 

ç) Të ofrojnë punë me kohë të plotë, për një minimum prej 40 (dyzet) orësh në javë, me një pagesë mujore jo më pak se paga minimale, në përputhje me dispozitat e Kodit të Punës; 

d) Vendi i punës, i financuar nga ky program, duhet të vijë si rezultat i rritjes së fuqisë punëtore në aktivitetin e punëdhënësit;

dh) Të jenë shoqëri tregtare, të cilat nuk kanë detyrime ndaj organeve tatimore para datës 10 mars, në bazë të akteve normative në fuqi ose, në momentin e kërkesës për këtë program, të vërtetojnë se: 

 

i. kanë lidhur marrëveshjet përkatëse për shlyerjen e këtyre detyrimeve dhe janë të rregullta në shlyerjen e tyre;

ii. kanë shlyer detyrimet por kanë ende pa paguar gjobat;

iii. kanë shlyer detyrimet ose kanë vendosur garanci bankare për shumën e plotë të detyrimit, në përputhje me nenin 107, të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe janë në proces të apelimit administrativ e në procese gjyqësore me organet tatimore.

 

Kostot që subvencionon shteti

Programi i punësimit është një program 4, 8 ose 12-mujor punësimi, në të cilin profili dhe nevojat e punëkërkuesit përshtaten me vendin e lirë nga punëdhënësi; Paga përcaktohet në kontratën e punës, në përputhje me pozicionin përkatës dhe nivelin e pagave në treg.

Programi subvencionon kostot e mëposhtme:

 

a) Për programin e punësimit katërmujor:

Financimin e pagës në shumën 100% të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi, për 2 muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuara në muajin e parë dhe të katërt të kontratës;

ii. Kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuara çdo muaj.

 

b) Për programin e punësimit tetëmujor:

Financimin e pagës në shumën 100% të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi, për 4 (katër) muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuara në muajin e parë, të dytë, të shtatë dhe të tetë të kontratës;

ii. Kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuara çdo muaj. 

 

c) Për programin e punësimit 12 (dymbëdhjetë) mujor subvencionon kostot e financimit të sigurimeve të detyrueshme (kontribut i punëdhënësit dhe punëmarrësit) në masën 100%, të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së programit, të kompensuara çdo muaj.

 

Procedurat si do të zbatohet programi

Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë, nëpërmjet strukturave të tij, publikon informacionin e nevojshëm në Buletinin e Njoftimeve Publike dhe në platforma të tjera (faqe interneti, media sociale, shtyp etj.) lidhur me zbatimin e programit.

Punëdhënësit mund të kërkojnë për përfshirjen në program në rrugë elektronike, duke ngarkuar në faqen e internetit: a) formularin përkatës të plotësuar, sipas modelit standard të miratuar dhe të publikuar nga institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë;

b) autorizimin e punëdhënësit, me të cilin autorizohet institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë për të kryer të gjitha verifikimet dhe kërkimet e nevojshme të dokumenteve dhe të të dhënave të kërkesës; 

 

c) vetëdeklarim për mospasjen në ngarkim të punëdhënësit, të shkeljeve apo të sanksioneve që lidhen me legjislacionin e punës, përgjatë dy viteve të fundit.

Pas marrjes së kërkesës nga punëdhënësi, struktura vendore e punësimit kryen verifikimet e nevojshme.

Struktura vendore e punësimit verifikon, brenda 7 (shtatë) ditëve punë, plotësimin e kushteve formale paraprake të kërkesës dhe përputhshmërinë e tij me rregullat e zbatueshme të programit.

Në rast të mosplotësimit të kushteve paraprake, struktura vendore e punësimit i kërkon kërkuesit plotësimin e dokumentacionit.

 

Në rast të plotësimit të kushteve paraprake, struktura vendore i përcjell për miratim kërkesën strukturës rajonale të punësimit, e cila, brenda 5 (pesë) ditëve punë, vendos miratimin ose mosmiratimin e projektit, sipas rregullave të përcaktuara në manualin e zbatimit të programeve të nxitjes së punësimit.

Struktura vendore e punësimit i komunikon punëdhënësit kërkues përgjigjen përfundimtare për pranimin apo refuzimin e kërkesës brenda 2 (dy) ditëve punë. Ndaj këtij vendimi nuk paraqitet ankim administativ.

 

Punëdhënësi dhe punëkërkuesi, në cilësinë e punëmarrësit, lidhin një kontratë pune, ku përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e secilës palë, në përputhje me programin e përcaktuar në pikën 1, të kreut I, të këtij vendimi. Një kopje e kontratës së punësimit dorëzohet në strukturën vendore të institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë, i cili do të monitorojë zbatimin e saj deri në përfundim të projektit.

Pas nënshkrimit të kontratës së punës nënshkruhet marrëveshja tripalëshe për zbatimin e programit. 

 

Nëse punëdhënësi zgjidh në mënyrë të njëanshme kontratën me përfituesin për shkaqe të pajustifikuara, punëdhënësi është i detyruar të kthejë 100% të mbështetjes financiare të përfituar deri në atë moment.

Nëse punëdhënësi nuk respekton marrëveshjen tripalëshe për zbatimin e programit, sipas pikës 1, të këtij vendimi, ai përjashtohet nga pjesëmarrja në program për një periudhë katërvjeçare.

12. Financimi i punëdhënësit do të bëhet çdo muaj, pas verifikimit nga struktura përkatëse e punësimit të kryerjes së pagesës nga ana e tij.

Monitorimi i zbatimit kryhet nga strukturat përkatëse të punësimit (institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë)./Burimi: Monitor


Më të lexuarat