Secondary Adv

Tranfertat e parave ne te gjithe boten: Perditesohet standardi nderkombetar i IBAN

Share on Google+

Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit bën me dije se Organizata Ndërkombëtare për Standardizimin (ISO) ka përditësuar standardin ndërkombëtar për IBAN.

 

“Shumë vite më parë për të transferuar jashtë shtetit para duheshin shumë ditë për të mbërritur dhe ndonjëherë nuk mbërrinin fare në vendin, ku ishin nisur. Numri Ndërkombëtar i Llogarisë Bankare (IBAN) është struktura e numrit ndërkombëtar të llogarisë bankare, e cila lejon transferimin e sigurtë dhe të shpejtë të parave në të gjithë botën. Sapo është përditësuar standardi ISO 13616, Shërbimet financiare, Numri ndërkombëtar i llogarisë bankare. Standardi ISO 13616-1, Shërbimet financiare – Numri ndërkombëtar i llogarisë bankare (IBAN) – Pjesa 1: Përbërja e IBAN, specifikon strukturën dhe elementet e një numri ndërkombëtar llogarie bankare (IBAN), i cili përmirëson cilësinë, eficiencën dhe kohën e shlyerjes së transfertave kombëtare dhe ndërkombëtare, duke siguruar një shkallë sigurie më të lartë.

 

Pjesa 1 e standardit plotësohet nga pjesa 2, ISO 13616-2, Shërbimet financiare – Numri ndërkombëtar i llogarisë bankare (IBAN) – Pjesa 2: Roli dhe përgjegjësitë e autoriteteve të regjistrimit, i cili detajon procedurat për regjistrimin e formateve IBAN dhe elementet e të dhënave, që vendosen në regjistër. Standardi u hartua për herë të parë në vitin 1997 dhe ofron një metodë për krijimin e një kodi unik, që përshtatet në sistemet ekzistuese të bankave dhe mënjanon rrezikun e ngatërresave, kur bëhet fjalë për transferimin e parave midis bankave të shteteve të ndryshme” sqaron DPS.

 

Kjo e fundit vë theksin se standardi ISO 13616 siguron një metodë, e cila ofron një mjet për strukturimin e informacionit dhe ka për qëllim të lehtësojë procesimin automatik të transfertave. Përdorimi i IBAN-it synon rritjen e saktësisë së të dhënave të një transaksioni dhe reduktimin e ndërhyrjeve manuale në procesimin e tyre. Rreziku i vonesës apo i moskryerjes së pagesës për shkak të pasaktësive, reduktohet, pasi llogaria bankare e përfituesit të fondeve, kreditohet vetëm nëpërmjet përdorimit të IBAN. 

 

Sipas DPS, Komiteti teknik ISO, që hartoi serinë e standardeve ISO 13616 pranoi se një metodë e vetme, universale për identifikimin e llogarisë dhe transfertave bankare për klientët e institucioneve financiare do të ishte praktike, por shumë e kushtueshme për t’u zbatuar. Standardi ISO i hartuar me dy pjesë merr parasysh faktin, që institucionet financiare dëshirojnë të mbajnë metodat e tyre aktuale të identifikimit të veprimeve bankare. Z. Paul Janssens, Drejtori i Programit në SWIFT, Autoriteti i Regjistrimit për IBAN, tha: “Në epokën e dixhitalizimit dhe pagesave më të shpejta, standardi ISO për IBAN-in luan një rol kryesor pasi përmirëson saktësinë e numrave të llogarisë bankare dhe mundëson vërtetimin dhe automatizimin e përpunimit të pagesave”./Burimi: Monitor


Më të lexuarat