Secondary Adv

67 mln euro fondi per shendetesine ne 2021: Ja sa i takojne koncesioneve

Share on Google+

Pagesat direkte nga buxheti në mbështetje të sektorit të shëndetësisë për të përballuar pandeminë Covid- 19 përllogaritën në 8,4 miliardë lekë ose 67 mln euro.

 

Nga kjo shumë 2,4 miliardë lekë janë shpenzuar në vitin 2020 si një shtesë në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë për të përballuar emergjencën mjekësore, ndërsa 6 miliardë lekë të tjera do të duhet të vihen në dispozicion vitin që vjen për të mbuluar një sërë nevojash për përballimin e pandemisë. Sipas të dhënave nga projektbuxheti kosto e pandemisë është sa 20 për qind e fondit total për sektorin e shëndetësisë prej 41.2 miliardë lekësh të programuar për 2021.

 

Pagesat për koncesionet në shëndetësi

Vitin që vjen rritet më tej barra e buxhetit të shëndetësisë për të përballuar pagesat e koncesioneve për shkak se hyn në fuqi pagesa e plotë për PPP e shërbimit laboratorik në spitale. Më 2021 pagesat totale për koncesionet e shëndetësisë janë 4.7 miliardë lekë ose 37 milionë euro. Më i shtrenjti është sterilizimi, që pritet të marrë 1.7 miliardë lekë pagesa nga buxheti për sterilizimin e pajisjeve mjekësore gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale. 

 

Koncesioni i laboratorëve do marrë 1.28 miliardë leke pagesa për 2021. Ky koncesion filloi zbatimin në mesin e këtij viti. Check up dhe dializa do të marrin përkatësisht 876 mln lekë dhe 779 mln lekë. Nga viti 2015 deri në vitin 2021 koncesionet e shëndetësisë kanë marrë morën 16.1 miliardë lekë financime ose 131 milionë euro. Kjo shumë është sa dyfishi i nevojave për financimin e pandemisë. 

 

Si do të shpenzohen fondet e Covid-19

Ministria e shëndetësisë përllogarit se 6 miliardë lekët për vitin 2021 nevojiten për të përballuar nevojat pandemike si më poshtë:

-Marrjen e masave efektive dhe ruajtjen e vazhdimësisë së shërbimeve spitalore, ofrimin e shërbimeve bazuar në protokollet mjekësore COVID-19, adaptimin e shpejtë dhe përshtatjen e shërbimeve ndaj kërkesave të reja që mund të paraqiten, si pasojë e pandemisë, përdorimin me eficiencë të burimeve njerëzore, si dhe krijimin e ambientit të sigurt spitalor për profesionistët e shëndetit.

-Ripozicionimin e shërbimeve spitalore të arritshme fizikisht për popullatën, që ka nevojë për përdorimin e tyre dhe vazhdimësinë e ofrimit të shërbimit spitalor të urgjencës në kushtet e ashpërsimit të pandemisë.

 

-Vlerësimin dhe përditësimin e protokolleve të hartuara për referimin dhe transportin nga urgjenca paramjekësore në strukturat spital dhe zgjerimi i skuadrave të lëvizshme dhe të dedikuara që ofrojnë shërbime në banesë dhe në bashkëpunim me mjekët e familjes;

-Hartimi i protokolleve për trajtim në banesë nga QKUM (skuadrat e terrenit) në bashkëpunim me mjekët e familjes, për pacientët që nuk kanë nevojë për hospitalizim dhe shtim të mëtejshëm të kapaciteteve të burimeve njerëzore duke rekrutuar dhe trajnuar staf shtesë;

-Shtim të kapaciteteve, përfshirë flotën e autoambulancave, kapacitetet në sistemet e informacionit, etj.

 

-Fuqizimin e rolit të Mjekut të Përgjithshëm dhe të Familjes, Mjekut Specialist të Qendrave Shëndetësore dhe infermierit në Kujdesin Parësor në diagnostikim dhe ndjekje të pacientëve me COVID-19 dhe pacientëve të tjerë kronikë me probleme për lëvizje/dalje nga banesat e tyre, nëpërmjet platformave digjitale si skype, ëhatsapp, etj., ose nëpërmjet vizitave në banesë kur mjeku e gjykon të arsyeshme, e veçanërisht për personat me risk të lartë.

-Ofrimin e kujdesit shëndetësor në Shtëpitë e të Moshuarve (azile) në përputhje me nevojat e tyre përmes bashkëpunimit me mjekët e përgjithshëm dhe mjekët e familjes dhe në rastet kur është e nevojshme edhe me mjekët specialistë të poliklinikave (QSHS) dhe infermierëve.

 

-Fuqizimin e shërbimit infermieristik territorial për të fuqizuar asistencën (kujdesin) në banesë për të sëmurët kronikë, pacientët me paaftësi fizike (tetraplegjikë, paraplegjikë, të verbërit, invalidët e përhershëm), pacientët me probleme të shëndetit mendor dhe ata që për arsye të pamundësisë së lëvizjes janë të izoluar në shtëpi.

-Ofrimin e konsultave on-line për pacientët kronikë në gjendje të stabilizuar me qëllim kufizimin e grumbullimit të tyre ambientet e strukturave shëndetësore.

-Rritjen e kapaciteteve laboratorike dhe ofrimin e panelit të analizave të nevojshme si dhe testimin për RT – PCR SARS COV 2 edhe në sistemin spitalor rajonal

 

-Në kuadër të rritjes së kapaciteteve për përballimin e situatave të krijuara nga COVID-19 dhe uljen e përhapjes së infeksionit do të garantohet furnizimi i pandërprerë i stafit mjekësor me të gjitha mjetet mbrojtëse personale të nevojshme, duke përfshirë: Maske Respiratore; Syze mbrojtëse; Doreza; Përparëse me një përdorim dhe të padepërtueshme; Kapuçët kirurgjikalë të kokës; Veshjet mbrojtëse Tyvek, etj.

-Me qëllim parandalimin e shpërhapjes së infeksionit në institucionet spitalore do t’i kushtohet gjithashtu rëndësi e veçantë: Manaxhimit të mbetjeve infektive; Zbatimit të rreptë të protokolleve mbrojtëse nga stafi mjekësor; Kontrollit të infeksionit mjedisor nëpërmjet dizinfektimit të saktë dhe të shpeshtë të ambjenteve të kujdesit shëndetësor./Burimi: Monitor


Më të lexuarat