Secondary Adv

Ristrukturimi i kredive: Banka e Shqiperise shtyn edhe me 3 muaj afatin

BSH në mbledhjen e saj të fundit ka shtyrë edhe me 3 muaj një vendim të muajit maj për mënyrën e klasifikimit dhe provigjionimit të kredive të ristrukturuara.

 

Vendimi i shtrinte efektet deri në 31 dhjetor, ndërsa afati është shtyrë tashmë deri në datën 31 mars 2021. Kjo ishte një kërkesë e bankave tregtare drejtuar Bankës së Shqipërisë për shtyrjen e masave që lehtësojnë ristrukturimin e kredive edhe për këtë vit. Në muajin maj të këtij viti, Këshilli Mbikëqyrës i BSH miratoi një dispozitë lehtësuese për kreditë e ristrukturuara, sipas së cilës, bankave u jepet mundësi të ristrukturojnë marrëdhëniet e kredive, me qëllim gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme në varësi të aftësisë paguese të kredimarrësve deri më 31 dhjetor 2020, pa kosto shtesë të provigjoneve dhe pa përkeqësim të statusit të huamarrësve.

 

Kërkesa e bankave lidhet pikërisht me shtyrjen e mëtejshme të dispozitave të mësipërme. Miratimi i kësaj kërkese nuk do të nënkuptojë një moratorium apo shtyrje në bllok të kësteve të kredive, siç ndodhi në mars të këtij viti. Ajo do të krijojë hapësira që bankat t’iu mundësojnë ristrukturime të mëtejshme atyre klientëve që provojnë se po kalojnë vështirësi të përkohshme, të lidhura me pandeminë dhe se aktiviteti i tyre mund të përmirësohet në të ardhmen e afërt. Në çdo rast, vendimi për shtyrjen e kredisë do t’i takojë bankës dhe do të merret mbështetur në analiza individuale të kredimarrësve që paraqesin kërkesa të këtij lloji.

 

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, falë moratoriumit të pagesave që u vendos në mars 2020 u shtynë mbi 25 mijë kredi bankare, me vlerë të përgjithshme rreth dy miliardë euro. Kjo iu la huamarrësve likuiditet shtesë për të përballuar vështirësitë e shkaktuara nga kriza, por paralelisht mbrojti edhe bankat nga një përkeqësim i shpejtë i cilësisë së portofolit të kredisë. Megjithëse moratoriumi u mbyll në fund të muajit gusht, dispozitat lehtësuese shtesë lanë hapësira që bankat të ristrukturonin kredi edhe në afate më të gjata, pa e penalizuar huamarrësin.

 

Zgjatet pezullimi i shpërndarjes së fitimeve deri në fund të 2021

BSH në mbledhjen e fundit ka zgjatur dhe periudhën e pezullimit të shpërndarjes së fitimeve të bankave. Sipas vendimit të ri, pezullohet shpërndarja nga ana e bankave të fitimit të vitit 2020 dhe të fitimit që do të realizohet gjatë 2021, deri më datë 31 dhjetor 2021. Afati i mëparshëm ishte 31 dhjetori 2020. Kjo masë e autoritetit mbikëqyrës, synon të sigurojë mbështetje për bankat, kryesisht nëpërmjet rritjes së aftësisë së tyre për të përthithur humbjet e mundshme potenciale dhe për të mbështetur kredidhënien për klientët individë dhe biznese gjatë kësaj periudhe.

 

Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2020, ndërmori një tërësi masash për shkak të situatës pandemike COVID-19, që lidheshin me ndryshime rregullative dhe vendimmarrje të saj mbi administrimin e rrezikut të kredisë, të procesit të ristrukturimit dhe provigjionimit të kredisë, të administrimit të rrezikut që rrjedh nga ekspozimet e mëdha, dhe për pezullimin e shpërndarjes së fitimeve të akumuluara dhe atyre ushtrimore. 

 

Pronësia e Alpha Bank

Një tjetër vendim i bankës ishte dhënia e miratimit paraprak për zotërimin e 100 për qind të kapitalit aksionar të Bankës Alpha Albania sh.a. nga Alpha International Holdings Single Member S.A., Greqi”./Burimi: Monitor


Më të lexuarat