Secondary Adv

Ashpersohet ligji: Denime me burg per shkeljet ne ndertim, detajet

Janë publikuar në Fletoren Zyrtare ndryshime në Kodin Penal, që ashpërsojnë dënimet për shkeljet në ndërtime, sidomos me pasoja të rënda materiale apo në jetët e qytetarëve.

 

Me dënime të ashpra penale do të përballen jo vetëm ndërtuesit që shkelin ligjin, por edhe mbikqyrësit apo kolauduesit e punimeve, të cilët në raste ekstreme mund të dënohen edhe me 15 vite burgim. Një prej pikave të reja përcakton se kryerja me dashje e çdo veprimi tjetër, të ndryshëm me ato të parashikuara ligji, që mund të sjellë shkatërrimin e plotë ose të pjesshëm të ndërtesës, të objektit qytetar, të veprës industriale, të infrastrukturës apo të çdo objekti tjetër ose që mund të rrezikojë jetën ose shëndetin e njerëzve, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.

 

Kur nga vepra penale kanë ardhur pasoja të rënda materiale, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet. Kur janë shkaktuar pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet. Po ashtu, Projektimi, mbikëqyrja, zbatimi ose kolaudimi i punimeve të ndërtimit në kundërshtim me ligjin, dokumentet e planifikimit, standardet profesionale në fuqi ose në kundërshtim me lejen e zhvillimit ose të ndërtimit nga persona ndaj të cilëve janë marrë më parë masa administrative për këto shkelje, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

 

Nxitja me ose pa shpërblim, ose detyrimi i projektuesit, mbikëqyrësit, zbatuesit ose kolauduesit të punimeve të ndërtimit për të shkelur rregullat që garantojnë kryerjen e ndërtimeve në përputhje me ligjin, dokumentet e planifikimit, standardet profesionale në fuqi ose në kundërshtim me lejen e zhvillimit ose të ndërtimit, sipas paragrafit të parë të këtij neni, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Kur nga vepra penale kanë ardhur pasoja të rënda materiale, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet. Kur janë shkaktuar pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet./Burimi: Scan


Më të lexuarat