Secondary Adv

Marreveshja e vaksines sekret tregtar: Vlera dhe sasia nuk do publikohen

Marrëveshja e qeverisë shqiptare me kompaninë Pfizer për prodhimin dhe furnizimin me vaksinën kundër COVID-19 nuk do të jetë publike.

 

Akti Normativ për miratimin e kësaj marrëveshjeje është publikuar në Fletoren Zyrtare, teksa specifikohet se për shkak të sekretit tregtar dhe kërkesës së shprehur në marrëveshje nga Pfizer Export BV dokumenti nuk do të publikohet në asnjë website të institucioneve apo në Fletoren Zyrtare. Praktikisht, vlera e paguar për blerjen e vaksinave, numri i tyre dhe koha e mbërritjes, do të jenë të dhëna që nuk do të dihen nga qytetarët. Ndërkaq, Akti Normativ saktëson se efektet financiare që rrjedhin nga marrëveshja do të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për vitin 2021.

 

Gjithashtu, të gjitha transaksionet që lidhen me përfitimin e vaksinës anti-COVID-19, të përcaktuara në marrëveshje, apo për çdo sasi dhe lloj tjetër jashtë kësaj marrëveshjeje, si dhe palët respektive, përjashtohen nga të gjitha detyrimet fiskale. Nga ana tjetër, kompania Pfizer nuk do të ketë detyrimin për të shkruar paketimim e vaksinës në gjuhën shqipe dhe detyrimet e tjera që rrjedhin nga legjislacioni për barnat. Aktualisht, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se marrëveshja parashikon blerjen e 500 mijë vaksinave, por nuk ka dhënë asnjë detaj tjetër mbi kohën e shpërndarjes së tyre. Sipas të njëtave deklarata, në javën e tretë të muajit janar në vend do të mbërrijnë 10 750 doza, ndërkohë që  30 250 doza të tjera do të vijnë në shkurt./Burimi: SCAN


Më të lexuarat