Në mbarë botën, shumë qytete të mëdha e kanë të vështirë të gjejnë hapësirën e mjaftueshme për ndërtimin e aeroporteve.
Prandaj planifikuesit e tyre po mendojnë për ti ndërtuar në brigje ose në mes të detit. Në vende të ndryshme si në Osaka dhe Hong Kong kanë filluar projekte për bonifikimin e tokës.
Ideja e aeroporteve lundrues nuk është diçka e re apo e padëgjuar më parë. Projekte të tilla janë ndërmarrë edhe pas Luftës së Dytë Botërore, por që zhvillimi i tyre nuk duket se ka shkuar shumë larg. Aktualisht, të tilla projekte në faza të ndryshme planifikimi ka në San Diego, Karaibe dhe Londër. Projekti i San Diego-s teorikisht konsiston në ndërtimin e një zgjerimi të aeroportit në brigjet e Point Loma. Ai ka shumë ngjashmëri me konceptin e aeroportit lundrues të hartuar nga Terry Drinkard, një inxhinier amerikan i aeronautikës, i cili ka kryer kërkime të gjera në këtë fushë.
Projekti i Drinkard do të jetë një “aerotropolis” në det të hapur: një strukturë lundruese që përveç avionëve do të presë një gamë të tërë të aktiviteteve ekonomike dhe kërkimore, duke filluar nga: eksperimentimi me teknologjinë e energjisë së rinovueshme, në akuakulturë dhe në lundrimin me jaht. Shqetësimi më i madh për ndërtimin e aeroporteve lundrues është mënyra se si ata do të financohen. Në fund të ditës, kjo nuk është një çështje e teknologjisë, por e motivimit ekonomik.