Katër firma kineze të teknologjisë, përfshirë gjigantin Baidu Inc dhe SenseTime Group, lancuan chatbot-et e tyre të inteligjencës artificiale për publikun.
Baidu tha në një komunikatë për media se chatbot-i i saj i tipit ChatGPT, Ernie Bot, është tani plotësisht i qasshëm për publikun. Një zëdhënës i SenseTime tha për agjencinë e lajmeve Reuters se chatbot-i i tyre, SenseChat, është tani plotësisht i qasshëm për përdoruesit e tij.
Po ashtu, dy kompani të tjera të inteligjencës artificiale, Baichuan dhe Zhipu AI, njoftuan për lansimin e chatbot-eve të ngjashme më 31 gusht. Si pasojë, aksionet e Baidu dhe SenseTime shënuan rritje në tregun e Hong Kongut, për 3.1% dhe 2.7%, përkatësisht.
Për dallim nga vendet e tjera, Kina u kërkon kompanive të dorëzojnë vlerësime të sigurisë dhe të marrin leje para se t’i lansojnë në treg produktet e inteligjencës artificiale.
Autoritetet kineze i kanë rritur përpjekjet për t’i përkrahur kompanitë që zhvillojnë inteligjencë artificiale, pasi teknologjia është në qendër të garës së tyre me Shtetet e Bashkuara.
Mediat kineze raportuan se gjithsej 11 firma kishin kërkuar leje nga Qeveria, përfshirë pronarin e TikTok-ut, ByteDance and Tencent Holdings. Asnjëra nga këto kompani nuk i është përgjigjur Reutersit për koment rreth planeve të tyre për inteligjencë artificiale.