Nafta në Shqipëri kushton 2.6 herë më shumë se mesatarja e gjithë Europës, ndaj fuqisë blerëse
Nafta ka arritur në 229 lekë për litër, ndërsa pesha e saj ndaj të ardhurave është më e larta në Europë.
Nafta në Shqipëri është ndër më të shtrenjtat në Europë, por për konsumatorin shqiptar kostoja reale rezulton edhe më e lartë kur çmimi i karburantit krahasohet me të ardhurat. Një litër naftë kërkon një pjesë shumë më të madhe të të ardhurave ditore në Shqipëri sesa në shumicën e vendeve europiane, duke e bërë furnizimin e një automjeti dukshëm më të kushtueshëm në raport me fuqinë blerëse.
Çmimi i një litri naftë në Shqipëri ka arritur në 229 lekë, ose 2.46 euro, duke e renditur vendin të tretin në Europë, pas Danimarkës me 2.60 euro dhe Norvegjisë me 2.56 euro. Në rajon, në Serbi nafta ka arritur në gati 2 euro për litër, në Mal të Zi në 1.87 euro, në Bosnjë-Hercegovinë në 1.76 euro, në Kosovë në 1.85 euro, ndërsa më e lira është në Maqedoninë e Veriut, me 1.64 euro. Mesatarja europiane e çmimit në vendet e përfshira në krahasim është rreth 1.94 euro për litër.
Një litër naftë merr 3.56 për qind të të ardhurave ditore në Shqipëri
Çmimi në pompë, megjithatë, nuk është treguesi i vetëm i kostos reale për konsumatorin. Një litër naftë prej 2.46 eurosh ka një peshë të ndryshme për një shqiptar, një danez apo një norvegjez, për shkak të diferencave të mëdha në të ardhura.
Për të matur këtë diferencë, Monitor ka krahasuar çmimet e naftës të publikuara nga Global Petrol Prices me të ardhurat për frymë të publikuara nga FMN për vitin 2026, të matura sipas fuqisë blerëse (PPP). Ky tregues merr parasysh ndryshimet në nivelet e çmimeve mes vendeve dhe përdoret për të krahasuar më drejt standardin ekonomik dhe atë që qytetarët mund të blejnë me të ardhurat e tyre.
Në Shqipëri, të ardhurat për frymë sipas fuqisë blerëse janë rreth 25.2 mijë dollarë ndërkombëtarë në vit, ndërsa të ardhurat ditore për frymë llogariten në rreth 69.2 dollarë. Një litër naftë përfaqëson 3.56% të të ardhurave ditore, nivel që rezulton më i larti në Europë.
Në Danimarkë, vendi ku nafta është më e shtrenjtë në vlerë, për blerjen e një litri nevojitet 1.06% e të ardhurave ditore, ndërsa të ardhurat ditore për frymë janë 245 dollarë ndërkombëtarë. Në Norvegji, e cila renditet ndër vendet me të ardhurat më të larta për frymë në Europë sipas fuqisë blerëse, pas Irlandës dhe Luksemburgut, për një litër naftë nevojiten vetëm 0.8% e të ardhurave ditore.
Shqiptarët shpenzojnë 2.6 herë më shumë se mesatarja europiane
Në të gjitha vendet europiane të marra në analizë, për blerjen e një litri naftë nevojiten mesatarisht 1.36% e të ardhurave ditore. Në Shqipëri kjo peshë është 3.56%, që do të thotë se një qytetar shqiptar duhet të përdorë rreth 2.6 herë më shumë nga të ardhurat e tij ditore për të blerë një litër naftë sesa qytetari mesatar europian.
Nëse krahasimi kufizohet vetëm te vendet e Bashkimit Europian, të cilat kanë të ardhura për frymë më të larta, mesatarja është 1.14%. Në këtë rast, një shqiptar duhet të shpenzojë rreth 3.1 herë më shumë nga të ardhurat ditore për të blerë një litër naftë krahasuar me qytetarin mesatar të BE-së.
Në rajon, pas Shqipërisë, nafta është më e kushtueshme në raport me fuqinë blerëse në Kosovë, ku për një litër nevojiten 3.1% e të ardhurave ditore, duke e renditur Kosovën të dytën në Europë sipas këtij treguesi. Megjithëse nafta në Kosovë është më e lirë se në Shqipëri, me 1.85 euro për litër, të ardhurat ditore janë gati 60 dollarë ndërkombëtarë, ose 14% më të ulëta se në Shqipëri.
Pas Kosovës renditet Bosnjë-Hercegovina, ku një litër naftë përfaqëson 2.66% të të ardhurave ditore, dhe Serbia me 2.09%. Në raport me të ardhurat, nafta rezulton më e përballueshme në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, me përkatësisht 1.89% dhe 1.88%.
Taksat rëndojnë çmimin e naftës në Shqipëri
Shqipëria vijon të ketë çmimet më të larta të karburanteve në rajon edhe për shkak të barrës së lartë fiskale, e cila zë gati 50% të çmimit, si dhe mungesës së masave fiskale lehtësuese. Në vendet e tjera të rajonit, mbi çmimin bazë të naftës llogariten kryesisht akciza dhe TVSH-ja, ndërsa në disa prej tyre janë ndërmarrë masa për reduktimin e barrës fiskale.
Në Maqedoninë e Veriut, TVSH-ja për naftën dhe benzinën është 18%, por gjatë periudhës së rritjes së çmimeve u ul në 10%. Në Kosovë zbatohet gjithashtu norma e TVSH-së prej 18%. Në Malin e Zi TVSH-ja arrin në 21%, ndërsa mbi naftën aplikohen TVSH-ja dhe akciza, kjo e fundit e përgjysmuar së fundmi si masë për amortizimin e rritjes së çmimeve. Në Serbi, TVSH-ja është 20%, ndërsa akciza, që para nisjes së luftës arrinte në 59.5 lekë për litër, u ul me 25% menjëherë pas nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme. Masa është riaktivizuar edhe disa javë më parë.
Në Shqipëri, përveç akcizës prej 39.4 lekësh për litër dhe TVSH-së prej 20%, mbi çmimin e naftës aplikohen edhe dy taksa të tjera shtesë që nuk aplikohen në vendet e rajonit: taksa e qarkullimit prej 27 lekësh për litër dhe taksa e karbonit prej 3 lekësh për litër.
Nafta arrin në 229 lekë, Shqipëria pa masa të reja lehtësuese
Nafta në Shqipëri ka arritur në 229 lekë për litër, ndërsa benzina është ngjitur në 219 lekë, duke shënuar nivele të reja rekord dhe duke rritur presionin mbi konsumatorët dhe bizneset. Rritja e çmimeve po ndodh ndërkohë që Shqipëria nuk ka ndërmarrë masa të reja për të zbutur ndikimin te qytetarët, ndërsa mekanizmi i parashikuar për uljen e akcizës me 20% mbetet i kufizuar në zbatimin e tij.
Sipas skemës, ulja me 20% e akcizës aktivizohej kur nafta kalonte nivelin 220 lekë për litër dhe benzina 200 lekë për litër, por vendimmarrja për aplikimin e saj lidhej me funksionimin dhe vendimin e Bordit.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)