Euro e nis edhe këtë javë në rënie, prek vlerën e 91.8 lekëve
Euro e ka nisur javën në rënie, duke zbritur në 91.8 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.
Euro e ka nisur javën me rënie të mëtejshme në kursin e këmbimit me Lekun, duke prekur një minimum të ri historik. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye me 91.8 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.
Euro e ka thelluar zhvlerësimin, që ka arritur në 5.1% që nga fillimi i vitit dhe në 5.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Oferta e Euros në treg duket se vazhdon të jetë e lartë edhe pas përfundimit të pikut të sezonit veror në korrik-gusht. Zgjatja e sezonit turistik, e favorizuar edhe nga temperaturat e larta, ka ndikuar në vijimin e prurjeve valutore nga turistët.
Ndërkohë, zhvlerësimi i vazhdueshëm i Euros duket se po ul edhe kërkesën për monedhën europiane, të paktën për nevojat e përdorimit në transaksionet e brendshme ekonomike. Në tërësi, prurjet e valutës në ekonominë shqiptare dhe bilanci i pagesave po shfaqin një ecuri më të mirë këtë vit.
Deficiti i llogarisë korrente bie me 40.6 për qind
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në 6-mujorin e parë të vitit 2026 deficiti i llogarisë korrente ra në 361 milionë euro, ose 40.6% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Deficiti i llogarisë korrente për këtë periudhë ka shënuar njëkohësisht nivelin më të ulët që prej vitit 2018. Ulja e tij ka ardhur kryesisht nga rritja e eksporteve të shërbimeve dhe nga remitancat.
Bilanci në tregtinë e shërbimeve ishte pozitiv në vlerën e afërsisht 1.79 miliardë eurove, në rritje me 12.9% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar. Më shumë se gjysma e kontributit në sektorin e shërbimeve erdhi nga turizmi, që në 6-mujorin e parë të vitit i solli ekonomisë të ardhura neto në vlerën e 957 milionë eurove, në rritje me 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Investimet e huaja direkte arrijnë në 1.144 miliardë euro
Efekt shtesë në bilancin e përgjithshëm duket se ka dhënë edhe rritja e fortë e investimeve të huaja direkte. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në tremujorin e dytë 2026 vlera e investimeve të huaja direkte arriti në 741 milionë euro, në rritje me 86% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo rritje u ndikua ndjeshëm nga flukse të lidhura me një projekt të rëndësishëm zhvillimi në sektorin e pasurive të paluajtshme. Për të gjithë 6-mujorin e parë, vlera e përgjithshme e investimeve të huaja direkte arriti në 1.144 miliardë euro, me një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Suficiti buxhetor ushtron presion shtesë për forcimin e Lekut
Politika e ndjekur nga qeveria shqiptare në vitet e fundit, me suficite të mëdha buxhetore gjatë pjesës dërrmuese të vitit, besohet se po ushtron një ndikim shtesë në forcimin e Lekut. Për 7-mujorin 2026, buxheti ishte në suficit në vlerën e 50.7 miliardë lekëve, në rritje me 60% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Banka e Shqipërisë vijon blerjet e valutës
Banka e Shqipërisë vazhdon të blejë valutë me qëllim frenimin e ritmit të shpejtë të rënies së kursit të Euros, por këtë vit efektshmëria e ndërhyrjeve të saj ka qenë më e ulët. Shifrat e ndërhyrjeve janë bërë publike vetëm deri në fund të tremujorit të parë, kur u blenë afërsisht 140 milionë euro, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë.
Të dhënat për periudhën në vazhdim nuk janë bërë ende publike, por, mbështetur në vlerësime të tërthorta, analistët e tregut besojnë se blerjet janë rritur më tej krahasuar me të njëjtat periudha të dy viteve të mëparshme. Në periudhën 2024-2025, Banka e Shqipërisë tërhoqi më shumë se dy miliardë euro nga tregu, në përpjekje për të ngadalësuar forcimin e monedhës vendase.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)