Secondary Adv

IFAD: Remitancat janë dyfishuar në një dekadë, Shqipëria me rritjen e dytë më të lartë në Rajon

Remitancat në Shqipëri u rritën me 96% gjatë viteve 2016-2025, ndërsa në vitin 2025 arritën në 2.56 miliardë USD.

Remitancat në ekonominë shqiptare pothuajse janë dyfishuar gjatë dekadës së fundit. Sipas një raporti të Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin Bujqësor (IFAD), në periudhën 2016-2025 remitancat në Shqipëri, të shprehura në dollarë amerikanë (USD), janë rritur me 96%. Kjo është shkalla e dytë më e lartë e rritjes në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pas Serbisë.


Në Serbi, rritja e remitancave për të njëjtën periudhë ka qenë 105%. Pas Shqipërisë renditet Bosnje-Hercegovina me një rritje prej 89%, Mali i Zi me 87%, ndërsa Maqedonia e Veriut mbetet dukshëm pas pjesës tjetër të rajonit, me një rritje prej 48% në harkun e një dekade.


Remitancat në Shqipëri arrijnë në 2.56 miliardë dollarë

Sipas të dhënave të IFAD, në vitin 2025 vlera totale e remitancave në Shqipëri arriti në 2.56 miliardë USD. Me këtë shifër, Shqipëria renditet e treta në rajon, pas Serbisë me 6.56 miliardë USD dhe Bosnje-Hercegovinës me 3.49 miliardë USD. Pas Shqipërisë renditen Mali i Zi me 897 milionë USD dhe Maqedonia e Veriut me 468 milionë USD.


Në përgjithësi, studimet krahasuese përfshijnë në remitanca edhe të ardhurat nga puna jashtë vendit. Shqipëria vlerësohet se ka një peshë të konsiderueshme të remitancave në ekonomi, të barabartë me 8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Megjithatë, ky raport është më i ulët se në Bosnje-Hercegovinë dhe Mal të Zi, ku remitancat përbëjnë përkatësisht 11% dhe 10% të PBB-së. Shqipëria renditet përpara Serbisë, ku pesha është 7%, dhe Maqedonisë së Veriut, ku remitancat përbëjnë 2% të PBB-së.


Remitancat sa 23 për qind e eksporteve të Shqipërisë

Shqipëria ndodhet në mesin e renditjes rajonale edhe për peshën e remitancave ndaj totalit të eksporteve të ekonomisë. Remitancat përbëjnë 23% të eksporteve të Shqipërisë, duke u renditur pas Bosnje-Hercegovinës me 26% dhe Malit të Zi me 24%.


Rekord i ri në gjashtëmujorin e parë të 2026

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se remitancat po vijojnë të rriten edhe këtë vit. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, emigrantët dërguan në Shqipëri 621 milionë euro, 16.7% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo vlerë shënoi njëkohësisht një rekord të ri historik.


Rritja më e lartë u regjistrua në tremujorin e dytë, kur prurjet arritën në 347 milionë euro, me një zgjerim prej 24% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Emigracioni rrit remitancat, por krijon probleme afatgjata

Sipas raportit, remitancat mbeten një burim shumë i rëndësishëm financimi për ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Rritja e tyre po mbështetet edhe nga emigrimi i vazhdueshëm prej këtyre vendeve, kryesisht drejt Europës Perëndimore.


Kërkesa në rritje në tregun europian të punës po tërheq vazhdimisht profesionistë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht të rinjtë. Në periudhën afatshkurtër, ky fenomen sjell si efekt pozitiv rritjen e remitancave, por në afat të gjatë emigrimi i të rinjve po kthehet gradualisht në një problem për ekonomitë e rajonit.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat