Secondary Adv

Çmimet e larta nuk frenojnë kërkesën, shitjet e karburanteve rriten 8,4 për qind në T2 2026

Shitjet e karburanteve u rritën me 8.4% në tremujorin e dytë 2026, pavarësisht çmimeve të larta të naftës.

Çmimet e larta të karburanteve nuk kanë sjellë ulje të konsumit në tregun vendas. Në tremujorin e dytë të vitit 2026, kur çmimi i shitjes me pakicë të gazoilit u luhat në nivele rreth 180–200 lekë për litër, shitjet e hidrokarbureve në njësitë tregtare të specializuara u rritën me 8.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.


Sipas të dhënave të INSTAT, tregtia me pakicë në tërësi vijoi zgjerimin në tremujorin e dytë të vitit 2026, me një rritje prej 6.8% të volumit të shitjeve në raport me një vit më parë. Rritja e shitjeve të karburanteve ishte më e lartë se mesatarja e tregut, duke treguar se kërkesa për naftë mbeti e qëndrueshme edhe në kushtet e një kostoje më të lartë për konsumatorët.


Karburantet kontribuuan me 2.1 pikë përqindje në rritjen e tregtisë

Gjatë kësaj periudhe, çmimet e miratuara nga Bordi i Transparencës për gazoilin ndryshuan disa herë, duke reflektuar zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe taksat përkatëse. Në prill, çmimi tavan për shitjen me pakicë të gazoilit ishte vendosur në rreth 203–210 lekë për litër, ndërsa në fund të majit zbriti në 187 lekë për litër.


Pavarësisht këtyre niveleve, shitjet e karburanteve dhanë një kontribut prej 2.1 pikë përqindje në rritjen totale të tregtisë me pakicë. Kontributin më të madh e dhanë artikujt jo-ushqimorë, me 2.7 pikë përqindje, ndërsa ushqimet, pijet dhe duhani kontribuuan me 2 pikë përqindje.


Në krahasim me tremujorin e parë të vitit, shitjet e hidrokarbureve u rritën me 2.1% pas eliminimit të efekteve sezonale. Në të njëjtën periudhë, shitjet e artikujve jo-ushqimorë u zgjeruan me 1.9%, ndërsa ato të ushqimeve, pijeve dhe duhanit me 0.4%.


Kërkesa për naftë mbetet e qëndrueshme pavarësisht çmimeve

Rritja e konsumit të karburanteve në një periudhë me çmime të larta lidhet edhe me karakteristikat e kërkesës për naftë, e cila mbetet më pak elastike ndaj ndryshimeve të çmimit, veçanërisht për përdoruesit që varen nga automjetet për transport dhe aktivitet ekonomik.


Në tërësi, tregtia me pakicë vijoi të zgjerohej në tremujorin e dytë të vitit 2026, duke reflektuar rritje të volumit të shitjeve në të gjitha grupet kryesore të aktivitetit. Zgjerimi u mbështet si nga mallrat e konsumit të përditshëm, ashtu edhe nga produktet jo-ushqimore dhe karburantet.


Sipas strukturës së tregtisë, kontributin më të madh në rritjen totale e dhanë artikujt jo-ushqimorë, me 2.7 pikë përqindje, të ndjekur nga tregtia e hidrokarbureve me 2.1 pikë përqindje dhe grupi i ushqimeve, pijeve dhe duhanit me 2 pikë përqindje.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat