Secondary Adv

Shtyhet përsëri CENSI i bujqësisë, do realizohet në 2027, kostoja 11.7 mln euro

Censi i Bujqësisë shtyhet për në vjeshtën e vitit 2027, ndërsa procesi pritet të kushtojë rreth 11.7 milionë euro.

Censi i Bujqësisë shtyhet sërish dhe pritet të zhvillohet në vjeshtën e vitit 2027, për shkak të kohës së pamjaftueshme për përfundimin e procedurave përgatitore. Numërimi i tokës, fermave dhe bagëtive do të kryhet nga 3,400 anketues, ndërsa kostoja e parashikuar e procesit arrin në rreth 11.7 milionë euro.


Burime pranë INSTAT thanë për Report TV se numërimi dhe regjistrimi i bujqësisë dhe blegtorisë nuk do të zhvillohet gjatë këtij viti, por do të realizohet vitin e ardhshëm, pasi koha në dispozicion për kryerjen e procedurave të nevojshme është e pamjaftueshme.


Vonesat gjatë hartimit dhe dërgimit në Kuvend të projektligjit për Censin e Bujqësisë bënë që ai të miratohej në seancë plenare vetëm në korrik 2026, duke mos i lënë INSTAT kohën e nevojshme për të përfunduar procedurat për zhvillimin e procesit. Fillimisht, “fotografimi” i bujqësisë dhe blegtorisë shqiptare ishte parashikuar të niste në tetor të këtij viti, por tashmë pritet të zhvillohet në vjeshtën e vitit 2027.


Censi i fundit i Bujqësisë u zhvillua në vitin 2012

Censi i fundit për bujqësinë në Shqipëri është zhvilluar në vitin 2012. Procesi i ri ishte parashikuar fillimisht të realizohej në vitin 2022, por që prej atëherë është shtyrë disa herë për arsye të ndryshme.


Përmes Censit të ri, INSTAT synon që brenda katër javëve të regjistrojë tokën bujqësore që mbillet, fermat bujqësore dhe tufat e bagëtive, duke krijuar një panoramë të përditësuar të sektorit të bujqësisë dhe blegtorisë në vend.


3,400 anketues do të dalin në terren

Për realizimin e procesit parashikohet angazhimi i 3,400 anketuesve, të cilët do të dalin në terren për të regjistruar sipërfaqet e tokës që mbillen, llojet e kulturave që kultivohen, sipërfaqet e fermave bujqësore, makineritë që përdoren, tufat e bagëtive dhe numrin e të punësuarve në këtë sektor.


Kostoja e parashikuar për realizimin e Censit të Bujqësisë është 1,081,499,000 lekë, ose rreth 11.7 milionë euro me kursin aktual të këmbimit.

Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat