Secondary Adv

Një në katër të punësuar merr pagë minimale, rritet pesha e pagave më të larta

Vetëm 25% e të punësuarve marrin deri në 50 mijë lekë, ndërsa po rritet pesha e pagave më të larta.

Një e katërta e të punësuarve që derdhin kontribute rezulton me pagë deri në 50 mijë lekë në muaj, ndërsa po rritet ndjeshëm pesha e punonjësve në fashat më të larta të pagave, sipas të dhënave zyrtare mbi ecurinë e pagave në tremujorin e dytë të vitit 2026.


Ndryshimi i strukturës së pagave lidhet me rritjen e pagës minimale nga 40 mijë në 50 mijë lekë në fillim të këtij viti, por edhe me rritjet e pagave në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, mungesën e fuqisë punëtore dhe konkurrencën më të fortë mes bizneseve për të tërhequr ose mbajtur punonjësit.


Pesha e pagave deri në 50 mijë lekë bie me rreth 8 pikë përqindje


Në fund të vitit 2025, përpara rritjes së pagës minimale, rreth një e treta e të punësuarve merrnin deri në 50 mijë lekë në muaj. Konkretisht, 12.8% paguheshin deri në pagën minimale prej 40 mijë lekësh, ndërsa 21% merrnin nga 40,001 deri në 50 mijë lekë. Në total, këto dy kategori përbënin 33.8% të të punësuarve.


Brenda gjashtë muajve, pesha e punonjësve me paga deri në 50 mijë lekë është reduktuar me rreth 8 pikë përqindje. Një pjesë e këtij ndryshimi lidhet me rritjen e pagës minimale, e cila zhvendosi në fashën e re prej 50 mijë lekësh punonjësit që më parë deklaroheshin me paga më të ulëta.


Paralelisht është zgjeruar edhe pesha e punonjësve me paga dukshëm më të larta, duke sinjalizuar një zhvendosje graduale të strukturës së pagave drejt niveleve më të larta.


Gati gjysma e të punësuarve marrin mbi 75 mijë lekë


Gati gjysma e të punësuarve kontribuues, ose 48.3%, merrnin mbi 75 mijë lekë në muaj në tremujorin e dytë 2026. Në fund të vitit 2025, kjo kategori përbënte 43% të totalit, duke treguar një rritje të ndjeshme brenda një periudhe relativisht të shkurtër.


Rritja është e dukshme edhe te pagat mbi 95 mijë lekë. Në tremujorin e dytë, 32.1% e të punësuarve merrnin paga mbi këtë nivel, nga 29.4% në tremujorin e katërt 2025.


Veçanërisht është shtuar pesha e të punësuarve me paga mbi 120 mijë lekë. Ata përbënin 17.1% të totalit në tremujorin e dytë 2026, nga 14.1% në të njëjtën periudhë të vitit 2025.


Mungesa e fuqisë punëtore po ushtron presion mbi pagat

Në rritjen e peshës së pagave më të larta mund të kenë ndikuar disa faktorë. Mungesa e fuqisë punëtore, e lidhur edhe me emigracionin dhe tkurrjen e popullsisë në moshë pune, i ka detyruar bizneset në shumë sektorë të ofrojnë paga më të larta për të gjetur dhe mbajtur staf.


Një tjetër faktor është rritja e pagave në sektorin publik dhe efekti që ajo ushtron mbi sektorin privat, sidomos për profesionet ku shteti dhe bizneset konkurrojnë për të njëjtën kategori punonjësish. Po ashtu, rritja e kostos së jetesës gjatë viteve të fundit ka shtuar presionin e punonjësve për paga më të larta, ndërsa kompanitë që përballen me mungesa personeli janë detyruar të bëjnë korrigjime më të shpejta të pagave.


Edhe struktura e punësimit po ndryshon, me një peshë më të madhe të profesioneve të kualifikuara dhe sektorëve që paguajnë mbi mesataren, ndërsa aktivitetet me paga të ulëta po përballen gjithnjë e më shumë me mungesën e punonjësve.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat