Ibrahimaj: Dyfishojmë bonusin mujor të pensionistëve nga 1 janari 2027
Bonusi mujor për pensionistët do të dyfishohet nga janari 2027, ndërsa do të vijojë edhe indeksimi i pensioneve.
Nga 1 janari 2027, pensionistët do të përfitojnë bonus mujor të dyfishuar, krahas vijimit të indeksimit të pensioneve. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja Delina Ibrahimaj, e cila deklaroi se rritja e të ardhurave të pensionistëve mbetet një nga prioritetet e politikave sociale të qeverisë.
Sipas Ibrahimajt, bonusi mujor i nisur në vitin 2026 do të dyfishohet nga fillimi i vitit të ardhshëm dhe masa do të përfshijë të gjitha kategoritë e pensionistëve. “Pensionistët janë në qendër të politikave tona sociale dhe rritja e të ardhurave të tyre mbetet një nga prioritetet tona. Në vitin 2026 nisëm bonusin mujor, ndërsa nga 1 janari 2027 ai do të dyfishohet për të gjitha kategoritë e pensionistëve, krahas vijimit të indeksimit të pensioneve”, deklaroi Ibrahimaj.
22.4 miliardë lekë më shumë në buxhetin e vitit 2027
Për financimin e kësaj mbështetjeje, në buxhetin e vitit 2027 janë parashikuar 22.4 miliardë lekë më shumë. Dyfishimi i bonusit mujor do të zbatohet paralelisht me indeksimin e pensioneve, me synimin për të rritur gradualisht të ardhurat mujore të pensionistëve.
“Për këtë mbështetje kemi parashikuar 22.4 miliardë lekë më shumë në buxhetin e vitit të ardhshëm, me objektivin që deri në vitin 2030 pensioni i plotë të mos jetë më pak se 40 mijë lekë dhe pensioni i pjesshëm jo më pak se 22 mijë lekë. Një angazhim konkret për të rritur, hap pas hapi, të ardhurat e pensionistëve”, u shpreh ministrja.
Objektivi për vitin 2030, pensioni i plotë të arrijë të paktën 40 mijë lekë
Qeveria synon që deri në vitin 2030 pensioni i plotë të mos jetë më i ulët se 40 mijë lekë, ndërsa pensioni i pjesshëm të arrijë të paktën në 22 mijë lekë. Sipas Ibrahimajt, dyfishimi i bonusit nga 1 janari 2027, së bashku me indeksimin, është pjesë e angazhimit për rritjen hap pas hapi të të ardhurave të pensionistëve.