Secondary Adv

Pronat udhëheqin sektorin e shërbimeve, shitjet u rritën me 40 për qind në prill-qershor

Pasuritë e paluajtshme dhe aktivitetet e lidhura me turizmin rezultuan ndër sektorët me ecurinë më të mirë në tremujorin e dytë të vitit 2026.

Sipas INSTAT, shitjet neto në volum në aktivitetin e pasurive të paluajtshme u rritën me 38.9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa rritje të fortë shënuan edhe hotelet dhe transporti.


Të dhënat e statistikave afatshkurtra në shërbime tregojnë se aktiviteti i pasurive të paluajtshme regjistroi rritjen më të lartë mes sektorëve të analizuar. Në të njëjtën kohë, indeksi i shitjeve neto në volum u rrit me 22 për qind për hotelet dhe me 19.1 për qind për transportin, magazinimin dhe postën. Baret dhe restorantet shënuan rritje prej 8.7 për qind, ndërsa agjencitë e udhëtimit regjistruan rënie prej 5.4 për qind.


Pasuritë e paluajtshme kryesojnë rritjen e shitjeve

Në tremujorin e dytë 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, shitjet neto në volum u rritën me 6 për qind në tregtinë me shumicë dhe pakicë dhe riparimin e automjeteve e motorçikletave, me 19.1 për qind në transport, magazinim dhe postë, me 22 për qind në hotele dhe me 8.7 për qind në bare dhe restorante.


Rritja më e lartë, prej 38.9 për qind, u regjistrua në aktivitetin e pasurive të paluajtshme. Aktivitetet e arkitekturës dhe inxhinierisë u rritën me 7.8 për qind, ndërsa aktivitetet e sigurimit dhe hetimit me 8.9 për qind. Në kahun tjetër, informacioni dhe komunikacioni shënuan rënie prej 0.6 për qind, aktivitetet ligjore dhe të kontabilitetit ranë me 5.3 për qind, agjencitë e udhëtimit me 5.4 për qind dhe administrimi i zyrave dhe mbështetja administrative me 6 për qind.


Rritje e fortë e punësimit në pasuritë e paluajtshme dhe hotele

Edhe treguesit e punësimit pasqyrojnë zgjerimin e disa prej këtyre aktiviteteve. Në tremujorin e dytë 2026, punësimi në pasuritë e paluajtshme u rrit me 26.6 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa në hotele rritja ishte 11.5 për qind.


Punësimi u rrit gjithashtu me 5.6 për qind në tregtinë me shumicë dhe pakicë dhe riparimin e automjeteve e motorçikletave, me 5.7 për qind në transport, magazinim dhe postë, me 2.2 për qind në bare dhe restorante, me 1.7 për qind në informacion dhe komunikacion, me 1.4 për qind në aktivitetet ligjore dhe të kontabilitetit dhe me 4.1 për qind në arkitekturë dhe inxhinieri.


Agjencitë e udhëtimit regjistruan rritje të punësimit me 2.2 për qind, pavarësisht rënies së shitjeve. Ndërkohë, punësimi ra me 3.5 për qind në aktivitetet e sigurimit dhe hetimit dhe me 12.1 për qind në administrimin e zyrave dhe mbështetjen administrative.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat