Secondary Adv

Qeveria rikthen Bordin e Transparencës për karburantet, synohet aktivizimi i uljes së akcizës

Qeveria ka vendosur të ringrejë Bordin e Transparencës për karburantet pas rritjes së çmimeve të naftës dhe benzinës.

Ministrja Delina Ibrahimaj tha se rikthimi i Bordit synon edhe aktivizimin e mekanizmit për uljen e akcizës, me qëllim lehtësimin e çmimeve për konsumatorët.


Më 3 prill, qeveria miratoi Aktin Normativ që parashikon uljen e akcizës me 20 për qind nëse çmimi i naftës me pakicë kalon nivelin 220 lekë për litër dhe ai i benzinës 200 lekë për litër. Ministria e Financave kishte sqaruar më herët për Monitor se aplikimi i uljes së akcizës lidhej me funksionimin dhe vendimmarrjen e Bordit të Transparencës, i cili kishte ndërprerë funksionimin pas stabilizimit të çmimeve për disa javë.


“Është marrë vendimi për ringritjen e Bordit të Transparencës, i cili do të monitorojë çmimet e karburanteve. Tregu do të vijojë të mbahet nën monitorim dhe analizë, pa një afat të përcaktuar për mbylljen e Bordit. Vendimi për ringritjen e tij synon gjithashtu aktivizimin e uljes së akcizës për karburantet, në funksion të lehtësimit të çmimeve për konsumatorët”, deklaroi Ibrahimaj pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.


Importuesit kundërshtojnë formulën e Bordit

Formula e përdorur nga Bordi i Transparencës për llogaritjen e çmimeve të karburanteve është kundërshtuar nga importuesit e naftës, të cilët pretendojnë se metodologjia u shkakton humbje për shkak të përcaktimit të çmimit nën kosto.


Sipas operatorëve, gjatë funksionimit të Bordit përllogaritjet janë bërë duke u bazuar në çmimin FOB (Free on Board), i cili nuk përfshin kostot e transportit dhe sigurimit, dhe jo në çmimin CIF, ku këto kosto përfshihen. Ata argumentojnë se transporti dhe sigurimi e rrisin çmimin e blerjes me 45–50 dollarë për ton dhe se, që nga viti 2024, kompanitë e tregtimit ndërkombëtar operojnë mbi bazën e kontratave CIF dhe jo FOB.


Ndërsa çmimi i përcaktuar nga Bordi është bazuar në treguesin FOB, sipas operatorëve doganat kanë llogaritur TVSH-në mbi treguesin CIF. Ata pretendojnë se kjo diferencë u krijon një humbje prej 4.7 lekësh për litër.


Për shkak të humbjeve që pretendojnë se u janë shkaktuar nga përllogaritja e çmimit nën kosto, tetë operatorë kërkojnë rreth 11.8 milionë euro dëmshpërblim. Më 19 shtator pritet të zhvillohet në Gjykatën Administrative seanca e parë për shqyrtimin e padisë së parë, ndërsa çështja e secilit operator do të shqyrtohet veçmas.


Ndërkohë, sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor, nga rritja e çmimeve të karburanteve shteti ka arkëtuar gjatë periudhës mars-korrik rreth 18 milionë euro më shumë të ardhura.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat