Rezerva e sigurisë së naftës do të administrohet nga shteti, miratohet projektligji
Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin për krijimin dhe mbajtjen e rezervës së sigurisë së karburanteve, duke ndryshuar modelin aktual të administrimit.
Sipas propozimit të ri, rezerva e hidrokarbureve do të mbahet dhe menaxhohet nga një operator shtetëror dhe do të përdoret në rast të mungesave të produktit apo krizave të furnizimit.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, shpjegoi se projektligji ndryshon qasjen aktuale, sipas së cilës rezervat e sigurisë mbahen nga operatorët privatë. Me kuadrin e ri parashikohet që përgjegjësia për rezervën t'i kalojë një autoriteti shtetëror.
“Nëpërmjet projektligjit bëjmë ndryshim të qasjes aktuale ligjore, ku rezerva e sigurisë mbahet nga operatorët privatë. Me anë të projektligjit propozojmë që rezerva të mbahet nga një autoritet shtetëror. Mbajtja e rezervës së hidrokarbureve është kur në treg ka pasiguri për produktin, apo kur produktet në treg mungojnë”, deklaroi Karakaçi.
Sipas ministrit, ligji krijon detyrimin për ruajtjen e rezervës, administrimin e saj dhe hedhjen periodike të produktit në treg, në mënyrë që karburantet e depozituara të mos humbasin cilësitë ekonomike. Karakaçi theksoi gjithashtu se projektligji është në përafrim me direktivën përkatëse të Bashkimit Europian.
Rezerva për 90 ditë importe ose 61 ditë konsum
Sipas standardeve të parashikuara, rezerva e sigurisë përllogaritet në nivelin e 90 ditëve të importeve ose 61 ditëve të konsumit, duke marrë si referencë shifrën më të lartë. Ajo aktivizohet në situata të jashtëzakonshme, si mungesa e produktit në treg ose kriza me natyrë gjeopolitike që mund të cenojnë furnizimin.
Qeveria ka tentuar prej disa vitesh të miratojë një kuadër të ri ligjor për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj.
Nga modeli i përbashkët te administrimi shtetëror
Drafti i parë, i propozuar në shkurt 2019, parashikonte një formulë të përbashkët menaxhimi mes shtetit dhe sektorit privat, ndryshe nga sistemi aktual ku rezervat mbahen tërësisht nga kompanitë private dhe rafineritë. Sipas atij modeli, rezerva e barasvlershme me 60 ditë konsum mesatar do të mbahej nga një ent publik, ndërsa pjesa për 30 ditët e tjera do t'u përkiste kompanive private.
Që nga viti 2019, projekti ka kaluar disa herë në diskutime brenda qeverisë, ndërsa në tetor 2025 u nxor për konsultim publik. Drafti i vitit 2025 ruante në thelb strukturën e mëparshme, duke parashikuar krijimin e një autoriteti publik jofitimprurës, të quajtur Autoriteti për Rezervën e Sigurisë, në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe një tarifë për krijimin dhe mbajtjen e rezervës.