Tremujori i dytë, energjia dhe ndërtimi rrisin shitjet, industria shkurton vendet e punës
Sektori i prodhimit shënoi ecuri pozitive gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, i mbështetur kryesisht nga rritja e shitjeve dhe prodhimit në energji, furnizimin me ujë dhe ndërtim.
Megjithatë, industria regjistroi rënie të numrit të të punësuarve me 2 për qind, pavarësisht rritjes së prodhimit.
Sipas statistikave afatshkurtra të publikuara nga INSTAT, në sektorin e industrisë, që përfshin industrinë nxjerrëse dhe atë përpunuese, indeksi i shitjeve neto në volum u rrit me 2.2 për qind në tremujorin e dytë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa prodhimi në volum u zgjerua me 2.6 për qind.
Në të njëjtën kohë, numri i të punësuarve në industri ra me 2 për qind, ndërsa fondi i pagave u rrit me 9.7 për qind.
Energjia dhe furnizimi me ujë me rritje të fortë
Sektori i energjisë elektrike, gazit dhe avullit regjistroi një rritje të ndjeshme, me shitjet neto në volum që u zgjeruan me 24.2 për qind dhe prodhimin me 20.6 për qind. Numri i të punësuarve në këtë sektor u rrit me 3.2 për qind, ndërsa fondi i pagave me 12.1 për qind.
Një nga ritmet më të larta të zgjerimit u regjistrua në furnizimin me ujë, trajtimin dhe menaxhimin e mbetjeve. Shitjet neto u rritën me 25.8 për qind dhe prodhimi në volum me 12.8 për qind. Numri i të punësuarve u zgjerua me 4.9 për qind, ndërsa fondi i pagave u rrit me 22 për qind.
Fondi i pagave në ndërtim rritet me 24.8 për qind
Edhe sektori i ndërtimit vijoi ecurinë pozitive, me shitjet neto në volum që u rritën me 5.6 për qind dhe prodhimin me 4.2 për qind krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025.
Numri i të punësuarve në ndërtim u rrit me 5.2 për qind, ndërsa fondi i pagave shënoi rritjen më të lartë, me 24.8 për qind.
Në grupimet kryesore industriale, mallrat e qëndrueshme të konsumit regjistruan rritje të shitjeve neto me 9.9 për qind dhe të prodhimit me 10.3 për qind. Ndërkohë, prodhimi në volum në grupin e energjisë u rrit me 18 për qind.