Kultura si industri, strategjia e re hap rrugën për kapital privat, teknologji dhe turizëm
Qeveria po përpiqet ta zhvendosë kulturën nga një sektor i mbështetur kryesisht me fonde publike drejt një modeli që kombinon industrinë krijuese, investimet private, teknologjinë dhe turizmin.

Të paktën ky është drejtimi i Strategjisë Kombëtare për Kulturën 2026–2030, e cila u publikua në Fletoren Zyrtare duke hyrë automatikisht në fuqi.
Dokumenti u miratua nga Këshilli i Ministrave më 30 korrik dhe ngarkon Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, së bashku me institucionet e tjera përgjegjëse, me zbatimin e planit deri në vitin 2030.
Strategjia e vendos kulturën brenda politikave të zhvillimit ekonomik dhe territorial, duke parashikuar mbështetje për industritë krijuese, reforma në financim, digjitalizim të institucioneve dhe përdorim më të madh të trashëgimisë si pjesë e ofertës turistike.
Dokumenti e përkufizon vizionin për vitin 2030 si krijimin e një “ekosistemi të integruar”, ku trashëgimia, krijimtaria dhe pjesëmarrja kulturore shërbejnë si shtylla të zhvillimit kombëtar.
Një pjesë e rëndësishme e strategjisë i kushtohet industrive kulturore dhe krijuese, ku përfshihen filmi, muzika, artizanati, botimet, dizajni, arkitektura dhe prodhimi digjital.
Sipas dokumentit, ky sektor mbetet i fragmentuar, i përqendruar kryesisht në Tiranë dhe i varur nga investimet publike dhe financimet e huaja.
Plani parashikon instrumente të reja financimi, partneritete me sektorin privat dhe skema mbështetëse për artistët, krijuesit dhe sipërmarrjet kulturore.
Synimi është që financimi të mos mbështetet vetëm te grantet vjetore, por të përfshijë programe shumëvjeçare, investime private, donacione dhe bashkëpunime ndërmjet sektorit publik dhe atij privat.
Strategjia kërkon krijimin e “mekanizmave të qëndrueshëm të financimit”, të lidhur me objektiva të matshëm, monitorim dhe vlerësim të rezultateve.
Ajo parashikon gjithashtu masa fiskale dhe financiare për të nxitur investimet dhe për të zgjeruar burimet e kapitalit për sektorin kulturor.
Një tjetër shtyllë është rritja e autonomisë së institucioneve kulturore. Dokumenti synon që muzetë, teatrot dhe institucionet e tjera publike të kenë më shumë aftësi për të menaxhuar fondet, për të siguruar të ardhura dhe për të bashkëpunuar me partnerë privatë, duke ruajtur kontrollin dhe përgjegjshmërinë publike.
Strategjia parashikon gjithashtu ngritjen e një ekosistemi digjital kombëtar që do të lidhë muzetë, arkivat, bibliotekat dhe institucionet e trashëgimisë.
Platforma synon të bashkojë të dhënat mbi koleksionet dhe pasuritë kulturore, si dhe të standardizojë mënyrën e dokumentimit dhe publikimit të tyre.
Dokumenti përmend përdorimin e inteligjencës artificiale, realitetit të zgjeruar dhe teknologjive të tjera digjitale për të prezantuar përmbajtjen kulturore dhe për të zgjeruar aksesin e publikut.
Strategjia kërkon që investimet dhe aktivitetet kulturore të shpërndahen më gjerësisht jashtë kryeqytetit. Ajo evidenton se infrastruktura, financimi dhe pjesëmarrja kulturore mbeten të pabarabarta mes Tiranës, qyteteve të tjera dhe zonave rurale.
Për të reduktuar këtë hendek, dokumenti parashikon programe lëvizëse kulturore, mbështetje për zonat rurale, nisma për leximin dhe edukimin kulturor, si dhe përfshirje më të madhe të bashkive në organizimin dhe financimin e aktiviteteve.
Turizmi kulturor është një tjetër burim i pritshëm rritjeje. Strategjia parashikon lidhjen e monumenteve, muzeve, artizanatit dhe trashëgimisë jomateriale me itineraret turistike dhe zhvillimin ekonomik lokal.
Sipas dokumentit, institucionet e trashëgimisë pritën rreth 3.3 milionë vizitorë në vitin 2025, nga rreth 1.5 milionë në vitin 2019.
Strategjia kërkon që rritja e numrit të vizitorëve të shoqërohet me menaxhim më të mirë, standarde më të larta shërbimi dhe shpërndarje të flukseve përtej destinacioneve më të frekuentuara.
Në planin ndërkombëtar, Shqipëria synon të zgjerojë pjesëmarrjen në programet kulturore të Bashkimit Evropian dhe UNESCO-s, si dhe të rrisë praninë e artistëve dhe institucioneve shqiptare në ekspozita, festivale, bienale dhe projekte ndërkombëtare.
Strategjia identifikon katër prioritete: mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë, zhvillimin e industrive krijuese, përmirësimin e infrastrukturës kulturore dhe zgjerimin e aksesit.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)