Secondary Adv

KLSH ngre alarmin: 85 për qind e bashkive ende pa strategji kundër fatkeqësive natyrore

Gjashtë vite pas hyrjes në fuqi të detyrimit ligjor, pjesa dërrmuese e bashkive në Shqipëri nuk kanë ende një strategji vendore për reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore.

Sipas një auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, deri në fund të vitit 2025 vetëm 9 nga 61 bashki e kishin hartuar dhe miratuar këtë dokument.


Të dhënat e KLSH-së tregojnë se vetëm 15% e njësive vendore kishin përmbushur detyrimin, ndërsa për 39 bashki procesi nuk kishte nisur ende dhe 13 të tjera ndodheshin në fazën e hartimit. Detyrimi për përgatitjen e strategjive vendore buron nga ligji për mbrojtjen civile i vitit 2019. Këto dokumente duhet të përcaktojnë rreziqet kryesore për secilin territor, masat parandaluese, strukturat përgjegjëse, burimet financiare dhe mënyrën e reagimit në rast fatkeqësish.


Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se, gjashtë vite pas miratimit të ligjit, 85% e bashkive nuk e kishin përfunduar këtë detyrim. Në Durrës dhe Elbasan, dy bashki të përfshira drejtpërdrejt në auditim, procesi i hartimit të strategjive nuk kishte filluar. Situata konsiderohet veçanërisht e rëndësishme për Durrësin, një nga zonat më të prekura nga tërmeti i vitit 2019, si dhe për bashkitë që përballen me rreziqe nga përmbytjet, zjarret dhe fatkeqësi të tjera natyrore.


Tetë në dhjetë bashki pa staf të trajnuar

Një nga problematikat kryesore të evidentuara nga auditimi lidhet me mungesën e kapaciteteve njerëzore. Sipas KLSH-së, 80% e bashkive nuk kanë staf të trajnuar për hartimin e dokumenteve strategjike, ndërsa në disa raste nuk janë ngritur as sektorët që duhet të mbulojnë emergjencat civile.


Bashkitë kanë raportuar gjithashtu mungesë fondesh, paqartësi në interpretimin dhe zbatimin e legjislacionit për fondet e mbrojtjes civile, si dhe vonesa në shpërndarjen e paketës së kushtëzuar të emergjencave. Një tjetër problem është mungesa e të dhënave të plota për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore. Pa informacion të standardizuar për popullsinë e prekur, banesat, bizneset, infrastrukturën dhe humbjet ekonomike, njësitë vendore e kanë më të vështirë të përcaktojnë rreziqet dhe investimet që duhet të kenë përparësi.


Mangësi edhe në monitorimin e strategjisë kombëtare

Auditimi evidenton probleme edhe në zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë 2023–2030. Sipas KLSH-së, aktivitetet e parashikuara në planin e veprimit nuk janë shoqëruar me tregues dhe objektiva vjetorë që do të mundësonin matjen dhe monitorimin e progresit.


KLSH nuk gjeti evidenca për funksionimin e grupit të punës që duhet të monitorojë strategjinë kombëtare. Gjithashtu, nuk ishin hartuar raporte të konsoliduara vjetore, nuk ishte kryer një vlerësim i jashtëm i zbatimit dhe nuk ishte raportuar në Këshillin e Ministrave mbi aktivitetet e realizuara dhe nivelin e zbatimit të strategjisë.


Për bashkitë Durrës dhe Elbasan, Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkon që strategjitë vendore për reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë të hartohen dhe miratohen brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2027. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile duhet gjithashtu të kërkojë periodikisht informacion nga të gjitha bashkitë që nuk e kanë përmbushur detyrimin dhe të raportojë çdo vit mbi ecurinë e procesit dhe pengesat e evidentuara.


Burimi: ekofin.al


Më të lexuarat