Secondary Adv

8 vatra zjarri në vend, 6 mbeten aktive; 227 forca dhe mjete ajrore në terren

Gjashtë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në vend, ndërsa dy të tjera janë nën kontroll ose monitorim.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se gjatë së dielës janë raportuar gjithsej tetë vatra në qarqet Tiranë, Fier, Durrës dhe Lezhë, ndërsa në operacionet për shuarjen e tyre janë angazhuar 227 forca në terren dhe disa mjete ajrore.


Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, për përballimin e situatës janë angazhuar mjete zjarrfikëse, tre helikopterë, një avion Air Tractor, si dhe një mjet ajror i Forcave të Armatosura në Cikallesh. Gjithashtu, është kërkuar angazhimi urgjent i 50 forcave ushtarake për vatrën e zjarrit në lagjen Boje, Krujë.


Në Dajt, pranë fabrikës së ujit Selita, janë rishfaqur disa vatra zjarri dhe strukturat në terren vijojnë ndërhyrjen dhe monitorimin. Në Cikallesh të Kavajës, vatra është në rënie dhe po shkon drejt shuarjes së plotë, ndërsa në Priskë të Madhe vazhdon puna për vendosjen nën kontroll të vatrave të vogla. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.


Në zonën Panahor–Ndrenie–Vlosht të Mallakastrës vijon puna për izolimin e vatrave, ndërsa zjarri është nën kontroll. Edhe në Koilaç–Greshicë zjarri është izoluar dhe ndodhet nën kontroll, pa rrezikuar zonat e banuara.


Në Abaze të Krujës, situata është stabilizuar dhe kanë mbetur vetëm vatra të vogla me prush dhe tym. Strukturat e angazhuara vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjen. Ndërkohë, në lagjen Boje të Krujës, për shkak të terrenit të vështirë dhe mungesës së aksesit rrugor, është kërkuar urgjentisht angazhimi i 50 forcave ushtarake. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.


Situata mbetet aktive në Vilëz të Kurbinit, ku zjarri vijon në një sipërfaqe pyjore. Në terren janë angazhuar 50 forca nga strukturat vendore, MZSH, Policia dhe vullnetarët. Ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë ka ndalur avancimin e flakëve, duke shmangur djegien e kishës, varrezave dhe banesave përreth.


Burimi: Euronews


Më të lexuarat