Secondary Adv

Detyrimet e prapambetura rriten me 12.9 për qind, Kavaja kryeson bashkitë borxhlije

Detyrimet e prapambetura të institucioneve publike u rritën ndjeshëm gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, pavarësisht performancës së fortë të financave publike.

Deri në fund të qershorit, stoku total arriti në 7.83 miliardë lekë, ndërsa Bashkia Kavajë rezulton njësia vendore me nivelin më të lartë të faturave të papaguara.


Sipas të dhënave zyrtare, detyrimet e prapambetura u rritën nga 6.93 miliardë lekë në fund të marsit 2026 në 7.83 miliardë lekë në fund të qershorit. Brenda vetëm tre muajve stoku u zgjerua me rreth 894 milionë lekë, ose 12.9%. Rritja vjen në një periudhë kur buxheti i shtetit ka regjistruar suficit të konsiderueshëm në gjysmën e parë të vitit, falë të ardhurave më të larta se planifikimi dhe ritmit më të ulët të realizimit të shpenzimeve. Megjithatë, kjo situatë nuk është reflektuar në reduktimin e faturave të papaguara ndaj bizneseve dhe kreditorëve.


Pjesa kryesore e rritjes ka ardhur nga qeverisja qendrore, ku detyrimet e prapambetura u zgjeruan nga 1.86 miliardë lekë në 3.31 miliardë lekë, ose me afro 1.45 miliardë lekë. Brenda kësaj kategorie, rritjen më të madhe e shënuan detyrimet e klasifikuara si “të tjera”, të cilat u rritën nga 260 milionë lekë në mbi 1.55 miliardë lekë. Rritje e ndjeshme është regjistruar edhe te detyrimet për mirëmbajtje, ndërsa ato që lidhen me investimet shënuan një ulje të lehtë.


Në qeverisjen vendore, stoku total i detyrimeve të prapambetura mbeti pothuajse në të njëjtat nivele, duke zbritur lehtë nga 3.15 miliardë lekë në 3.11 miliardë lekë. Megjithatë, një pjesë e bashkive vijojnë të kenë nivele të larta të faturave të papaguara.


Kavaja kryeson bashkitë me detyrimet më të larta

Sipas raportit të Ministrisë së Financave, Bashkia Kavajë renditet me diferencë si njësia vendore me stokun më të lartë të detyrimeve të prapambetura, në 719.3 milionë lekë. Pas saj renditet Bashkia Tiranë me 282.2 milionë lekë dhe Bashkia Pogradec me 227.3 milionë lekë.


Ndër bashkitë e tjera me detyrime të larta janë Dimal me 144.1 milionë lekë, Cërrik me 141.6 milionë lekë, Vorë me 139.1 milionë lekë, Rrogozhinë me 124.2 milionë lekë, Divjakë me 108 milionë lekë, Dibër me 102.1 milionë lekë dhe Krujë me 98.8 milionë lekë.


Rritja e detyrimeve të prapambetura në kushtet e një suficiti të lartë buxhetor ngre pikëpyetje mbi ekzekutimin e shpenzimeve publike dhe disiplinën e pagesave ndaj kontraktorëve. Pavarësisht tepricës së krijuar nga të ardhurat dhe shpenzimet më të ulëta, institucionet kanë vijuar të akumulojnë detyrime, duke shtyrë pagesat për mallra, shërbime, mirëmbajtje, investime dhe kategori të tjera shpenzimesh.


Burimi: ekofin.al


Më të lexuarat