Secondary Adv

Bashkia Durrës realizon vetëm 1 për qind të buxhetit për rindërtim në 6 muajt e parë 2026

Në nëntor mbushen shtatë vite nga tërmeti shkatërrimtar i vitit 2019, por Programi i Rindërtimit vijon të zbatohet me ritëm të ulët.

Nga rreth 5.863 miliardë lekë fonde të çelura dhe të trashëguara për bashkitë për vitin 2026, deri në fund të qershorit ishin përdorur vetëm 814.5 milionë lekë, ose 14% e planit. Për investimet kapitale, realizimi është edhe më i ulët, në vetëm 7.4%.


Sipas raportit të Ministrisë së Financave, fondi prej 5.863 miliardë lekësh përfshin financimin e planifikuar për vitin 2026 dhe të akorduar nga buxheti i shtetit me vendime të Këshillit të Ministrave, si dhe fondet e papërdorura gjatë vitit 2025, të cilat janë trashëguar në buxhetin e këtij viti.


Problemi është më i dukshëm te investimet për objektet dhe infrastrukturën. Nga 2.530 miliardë lekë të planifikuara për shpenzime kapitale, deri në fund të gjashtëmujorit të parë janë realizuar vetëm 186.6 milionë lekë, ose rreth 7.4% e planit të kësaj kategorie. Ndërkohë, nga 2.864 miliardë lekë të programuara për transferta për familjet dhe individët janë realizuar 619.4 milionë lekë. Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes arritën në vetëm 8.5 milionë lekë, përballë një fondi të planifikuar prej 470 milionë lekësh.


Kjo strukturë tregon se pjesa dërrmuese e fondeve të përdorura deri tani nuk lidhet me investimet fizike. Nga 814.5 milionë lekë të realizuara në total, mbi 619 milionë lekë, ose rreth 76%, kanë shkuar për transferta, ndërsa investimet kapitale përbëjnë rreth 23% të shumës së shpenzuar.


Durrësi me realizimin më të ulët, vetëm 1 për qind e planit

Dallimet mes bashkive janë të konsiderueshme. Bashkia Durrës, megjithëse ka mbi 1 miliard lekë fonde të planifikuara, deri në fund të qershorit kishte realizuar vetëm 15.1 milionë lekë, ose 1% të planit, duke rezultuar ndër njësitë vendore me ecurinë më të dobët. Edhe Mirdita është në nivelin 1%, me vetëm 895 mijë lekë të realizuara nga 92.5 milionë lekë të planifikuara.


Tirana, e cila disponon fondin më të madh të rindërtimit, prej 1.858 miliardë lekësh, ka realizuar vetëm 84.9 milionë lekë, ose 5% të planit. Kamza rezulton me realizim prej 4%, ndërsa Kavaja dhe Rrogozhina me nga 7%.


Në anën tjetër, Kurbini paraqet nivelin më të lartë të realizimit, me 332.5 milionë lekë të shpenzuara, ose 49% të planit. Kruja ka realizuar 27% të fondeve, Shijaku 25% dhe Vora 21%.


Në Kurbin fondet shkojnë për transferta, në Tiranë për investime


Edhe përbërja e shpenzimeve ndryshon ndjeshëm mes bashkive. Në Kurbin, e gjithë shuma prej 332.5 milionë lekësh e realizuar deri në qershor rezulton e klasifikuar si transfertë, pa investime kapitale të regjistruara në tabelën e raportit. Në Tiranë ndodh e kundërta, pasi 84.9 milionë lekët e realizuara klasifikohen tërësisht si investime. Në Durrës, investimet arritën në vetëm 6.1 milionë lekë, ndërsa transfertat në rreth 9 milionë lekë.


Ministria e Financave e cilëson nivelin e përgjithshëm të realizimit prej 14% si një progres financiar relativisht të ulët kundrejt planifikimit vjetor. Raporti evidenton nevojën për përshpejtimin e zbatimit të projekteve, certifikimit të punimeve dhe realizimit të pagesave, me synimin që objektet dhe ndërhyrjet e parashikuara në Programin e Rindërtimit të përfundojnë më shpejt.


Burimi: ekofin.al


Më të lexuarat