Secondary Adv

Kreditë me probleme zbresin në 3.7 për qind në qershor, niveli më i ulët në mbi 18 vjet

Kreditë me probleme në sistemin bankar shqiptar kanë shënuar një tjetër rënie, duke zbritur në 3.70% të totalit të huave në fund të qershorit 2026.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ky është niveli më i ulët i regjistruar gjatë këtij viti dhe më i ulëti që nga shkurti i vitit 2008.


Në muajin maj, kreditë me probleme përbënin 3.77% të totalit, ndërsa në qershor pesha e tyre u reduktua me 0.07 pikë përqindjeje. Gjatë gjysmës së parë të vitit treguesi ka shfaqur luhatje të vogla, duke nisur nga 3.85% në janar, për të zbritur në 3.80% në shkurt, për t'u rikthyer në 3.85% në mars dhe për të rënë më pas në 3.75% në prill.


Për krahasim, në janar të vitit 2008 kreditë me probleme përbënin rreth 3.58% të totalit të huave, në shkurt 3.78% dhe në mars rreth 3.92%. Kjo e vendos nivelin e qershorit 2026 ndër më të ulëtit e regjistruar në sistemin bankar shqiptar në më shumë se 18 vjet.


Përmirësim është shënuar edhe te treguesit që matin pjesën e kredive me probleme që mbetet pasi bankat llogarisin rezervat e krijuara për humbjet e mundshme. Raporti i tyre ndaj kapitalit të bankave ra në qershor krahasuar me majin, duke sinjalizuar një reduktim të mëtejshëm të rrezikut që kreditë me probleme përbëjnë për sistemin bankar.


Likuiditeti mbetet i lartë, por vijon rënien

Bankat vijojnë të kenë nivele të larta likuiditeti, megjithëse treguesi ka ardhur në rënie gjatë muajve të fundit. Aktivet likuide përbënin 29.38% të totalit të aktiveve në qershor, nga 29.93% në maj dhe 31.27% në janar.


Edhe përfitueshmëria e sektorit bankar mbetet në nivele të qëndrueshme. Kthimi nga kapitali, një nga treguesit kryesorë të përfitueshmërisë së bankave, ishte 12.13% në qershor, nga 12.46% në muajin maj. Ndërkohë, kthimi nga aktivet arriti në 1.48%, pothuajse i pandryshuar nga niveli prej 1.50% i regjistruar në maj.


Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se cilësia e portofolit të kredive në sistemin bankar vijon të përmirësohet. Pesha e huave që paraqesin probleme me shlyerjen ka zbritur tashmë pranë niveleve më të ulëta të regjistruara në fillim të vitit 2008.


Burimi: Scan


Më të lexuarat